Jakobinët e drejtësisë shqiptare
Ta themi qysh në fillim. Ishte një vendim miop. Gjykata Kushtetuese me një vendim të pakuptimtë hodhi në kosh ligjin e qeverisë së djathtë për “lustracionin”. Përtej terminologjisë eufemiste, ishte një ligj për të ndaluar infektimin e mëtejshëm të institucioneve të vendit nga njerëz gjenetikisht të modifikuar nga monizmi. Sidomos informatorët dhe drejtuesit e Sigurimit të Shtetit. Sistemi i drejtësisë është bastioni ifundit i komunistëve, aty ku nuk është bërë kurrë reforma, aty gjakatarët mbrohen me ligj, ku kanë fortesën e të “drejtave të njeriut” që nuk i zbatonin vetë mbi viktimat kurse tani me hipokrizi bëhen Garant-ista. Drejtësia shqiptare ka nevojë për një reformë rrënjësore, sepse është qendra e pushtetit të zi të marrë, e pushtetit sipas metodës dhe doktrinës gramshiane.Ndonëse establishmenti i kuq nëpërmjet shegushes reagoi tinëzisht pro-pozitiv për ribërjen e ligjit, kurse në të vërtetë janë përpjekur për të ndaluar bërjen e një ligji të këtillë; ndërsa PD-ja dhe shumica parlamentare e ka për detyrë dhe borxh jo vetëm ndaj të persekutuarve, por për Shqipërinë në përgjithësi që ligji i “lustracionit”, pastrimi i institucioneve shtetërore nga hafijet e sigurimit, funksionarët e lartë të diktaturës, shtyllat, prokurorët dhe gjykatësit e thinjur të proceseve politike etj, të rikthehet përsëri në rendin e ditës të Kuvendit - natyrisht me modifikimet e duhura - dhe të votohet përsëri. Derisa të marrë jetë në Shqipëri komunizmi mendor i institucioneve.Më gjatë, për t’iu rikthyer edhe njëherë thelbit të ligjit të propozuar nga PD: duhet thënë se ishte një ligj tejmase i vonuar, ahere kurse tashti shumë vonë, por prapëseprapë shumë i domosdoshëm. Për disa gjëra më mirë vonë se kurrë bërja e demontimit të sistemit të terrorit alla-Robesipierian. Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare sotpërsot ka një frenim parësor sidomos në mungesën e një ligji të tillë “lustracioni”, një ligj që do të spastronte të gjithë të implikuari në përdhunimin e qenies shqiptare, me akuza dhe gjyqe false e hipokrite, ku vendimi ishte marrë pa u shqyrtuar kush ishte fajtori.Ndërkaq vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese është i pacilësueshëm dhe i pagjykueshëm nga ana legjislative, por nga ana morale lë shumë për të dëshiruar patronazhi ndaj xhelatëve të djeshëm. Por duke pasur parasysh dy vendimet e fundit të qeverisë polake për përgjysmimin e pagës dhe të pensioneve të atyre që kanë mbajtur sistemin komunist në këmbë, është i qartë implikimi ynë i mbajtjes së komunizmit mendor brenda institucioneve. është në natyrën e drejtësisë shqiptare të merret me format teorike sesa praktike të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Konflikti i interesit të disa gjyqtarëve mëkatarë në sistemin e kaluar po frenon procesin e de-kriminalizimit të mendësisë shqiptare. Gjithsesi kuptohej se nuk ishte një ligj i thjeshtë, ishte një ligj delikat, ishte një ligj i vështirë që lidhej me një qëllim të madh të demokracisë, ishte një ligj që synonte të paktën njëfarë përpunimi të së kaluarës, pa të cilën nuk mund ta shikosh drejt së pritshmes evropiane.Efektet e një ligji të tillë janë të kuptueshme dhe po ashtu është e qartë se ligji i lustracionit të figurave politike është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ta bërë demokracinë të fortë, më të pastër, më vitale. Gjykoj se ka ikur koha e traumave të komunizmit në shoqërinë shqiptare, njerëzit janë më të ndërgjegjësuar për atë ç’ka duan dhe ku duan të shkojnë....