E Diel, 1 Nëntor 2026

Niset për në Herat të Afganistanit kontigjenti i 2-të i trupave tona paqeruajtëse

Në Regjimentin Komando u zhvillua ceremonia e përcjelljes së Kontigjentit të 2-të Paqeruajtës, i cili  do të kryejë misionin e tij të radhës në Herat të Afganistanit.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, kundëradmiral Kristaq Gerveni, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë, gjeneral brigade Dincho Karamunchev, komandanti i Forcës së Bashkaur gjeneral brigade Agim Lala, atasheu ushtarak i Italisë në Tiranë kolonel Luigi Maracci, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtëseve.
Fjalën e hapjes e mbajti komandanti i Regjimentit Komando, kolonel Dritan Demiraj. Më pas të pranishmit i përshëndeti zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, i cili shprehu kenaqësinë dhe krenarinë që Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ia besuan trupave “Komando” përmbushjen e këtij misioni të 2-të në Herat. Gjithashtu, ai shprehu bindjen se ushtarakët që do të shkojnë në këtë mision, jo vetëm që do ta kryejnë me sukses të plotë detyrën, por do të jenë edhe shëmbull i mirë për forcat e tjera paqeruajtëse, duke demonstruar në çdo situatë, kompaktësi, disiplinë të fortë, aftësi të larta teknike e taktiko-speciale, guxim, maturi e moral të admirushëm, ashtu si janë në të vërtet Komandot Shqiptare. Me këtë rast, zv.ministri Spahiu falenderoi Qeverinë e Italisë dhe FA Italiane për mbështetjen e çmuar që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare në të gjitha misionet, për besimin që kanë treguar në përfshirjen e trupave tona komando në këtë mision të vështirë. Në fund të fjalës së tij z. Spahiu përshëndeti dhe falenderoi edhe  familjarët dhe të afërmit e trupave paqeruajtëse që nisen në Afganistan për përkrahjen që u kanë dhënë djemëve të tyre, si dhe i uroi atyre udhë të mbarë dhe suksese në kryerjen me nder të këtij misioni fisnik.
Kontigjentin e 2-të Paqeruajtës dhe të gjithë të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe atasheu ushtarak italian në Tiranë, kolonel Luigi Maracci.
Kontigjenti i 2-të Paqeruajtës përbëhet nga 110 trupa, nga të cilët 12 oficerë, 44 nënoficerë dhe 54 ushtarë profesionist. Gjatë qëndrimit në Herat të Afganistanit trupat e këtij kontigjenti do të kryejnë detyra speciale që lidhen me ruajtjen dhe sigurimin i Bazës Ushtarake përmes shërbimit në vendroje dhe patrullimit me automjete; shërbimin pranë Komandës së Forcës; ruajtjen e depove të armatimit; sigurimin e bazës logjistike, si dhe sigurimin dhe shoqërimin e personelit. Ai do të vazhdojë të përmbush këtë mision sikundër edhe kontingjenti paraardhës, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, nën drejtimin e komandës italiane. Trupat e Kontigjentit të 2-të janë pjesë e trupave të Regjimentit Komando, njësi e cila ka dhënë një kontribut të çmuar përkrah vendeve aleate në misionet paqeruajtëse si në Bosnje-Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe në çad. Deri më sot, Regjimenti Komando ka kontribuar me 2021 trupa në misionet paqeruajtëse. 
Ceremonia u mbyll me dorëzimin e Flamurit Kombëtar, komandantit të këtij kontigjenti major Naim Dani dhe një foto të përbashkët.  ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›