Berisha: Ndërtoni shtesa shtëpish në bregdet
Kryeministri "këshillon miqësisht" banorët që të shtojnë katet apo apartamentet, për të pritur sa më shumë pushues
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka inkurajuar dje një valë të dytë ndërtimesh informate, duke i cilësuar ato si një të mirë në favor të turizmit. Teksa zhvillonte një vizitë në zonat bregdetare të rivierës së Jonit, Berisha ka "këshilluar miqësisht" banorët që të bëjnë shtesa shtëpish, shtim katesh dhe gjëra të tilla në mënyrë që të rrisin kapacitetin e pritjes së pushuesve. Kjo deklaratë e Kryeministrit vjen në një kohë kur e gjithë zona e bregdetit është e bllokuar për shkak të problemeve të pronësisë dhe ligjit 7501. Vite më parë, teksa ishte President, ai inkurajoi qytetarët që të investonin në firmat piramidale, sepse "paratë e shqiptarëve janë të pastra", ndërsa sot inkurajon informalitetin dhe ndërtimet pa leje.
"Një thirrje miqësore: ju bëj të gjithë qytetarëve të Himarës, të Lukovës, të Ksamilit, të Sarandës dhe të bregut në tërësi që shfrytëzojnë mundësinë e zgjerimit të shtëpive të tyre, e shtimit të një kati, apo shtimit të një dhome, të përmirësimit të tyre, pasi shteti do të garantojë kredi të buta dhe kjo është një nga mënyrat kryesore për të përballuar fluksin e një rritjeje më të madhe. Këtë vit Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe në botë për sa i përket turizmit",- tha dje Kryeministri Berisha në Himarë. Kjo deklaratë e tij bie ndesh me ligjin për pushtetin vendor, pasi është ky i fundit që jep lejet e ndërtimit. Në vijim të fjalës së tij, Berisha ka pohuar se kapaciteti i këtij bregu është dhjetëra herë më i madh se ky që kemi ne sot, se vetëm Lukova, Saranda e Himara do të mund të marrin në vitet që vijnë rreth tre milionë turistë, aq sa pret sot vendi në tërësi. "Por ne duhet të synojmë të përmirësojmë kapacitetet, të përmirësojmë kushtet dhe t'u ofrojmë turistëve kushtet më të mira. Këto kushte jua ofroni ju qytetarë me mikpritjen, me mirësjelljen, me qytetarinë që dëshmoni ndaj tyre. Qeveria vendore dhe qendrore do të bëjë të gjitha përpjekjet për të krijuar çdo kusht normal që turistët që vijnë nga mbarë bota të kalojnë këtu pushimet më të mira",- tha Berisha.
Më pas ai iu drejtua kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollanos, se shumë shpejt do të mbledhë të gjithë pushtetarët vendorë të rajoneve bregdetare për të diskutuar vendet se ku mund të ndërhyhet. "Duhet që qeveritë vendore dhe qeveria qendrore t'i shndërrojnë në përparësi absolute ndërhyrjet e shpejta për të përgatitur vitin e ardhshëm një sezon turistik, më të mirin që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj",- tha Kryeministri Berisha. Për sa u takon zonave bregdetare, Kryeministri pohoi se do të nisë edhe projekti i furnizimit me ujë të pijshëm të të gjithë zonës bregdetare.
Gjatë takimit me banorët e bregdetit të Jonit, Berisha shpalli edhe një nga prioritetet e qeverisë së re, rritjen e turizmit si dhe ndihmën që do t'u jepet të gjithë personave që duan të investojnë në këtë fushë. Në analizën e tij Kryeministri krahasoi krizën globale me rritjen e turizmit në Shqipëri, duke thënë se edhe pse në krizë, turizmi u rrit me 36%. Ndërkohë, agjencitë turistike kanë raportuar ulje të numrit të njerëzve që kanë kaluar pushimet jashtë pikërisht për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së parave për të kaluar pushime cilësore.