Takimi, Blushi mbledh të vetët para kongresit
Ben Blushi ka porositur mbështetësit e tij që të krijojnë zhurmë në sallë, për t'i imponuar kongresit paketën e ndryshimeve statutore
Në takim, përveç Blushit, ishin të pranishëm edhe deputetët Islami dhe Bello, si dhe Bufi, Ulqini e Manjani
Një betejë e ashpër pritet të jetë ajo sot në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ku dy grupet e ravijëzuara tashmë si antagoniste me njëra-tjetrën, do të ballafaqohen përpara 1450 delegatëve. Të mbetur në minorancë, grupi i evidentuar si kundërshtar i linjës zyrtare të partisë, i drejtuar nga Ben Blushi, do të përpiqet sot me çdo kusht që t'i imponojë palës tjetër miratimin e atyre pikave që vetëm pak ditë më parë i rrëzoi kryesia e kësaj force, dhe që kanë të bëjnë pikërisht me zhvillimin e një kongresi të hapur për mediet nga fillimi deri në fund, si dhe pika më e rëndësishme, që kërkon përfshirjen në rendin e ditës, diskutimin dhe miratimin e paketës së ndryshimeve statutore.
Për të bërë të mundur që zëri i tyre të dëgjohet më shumë në mbledhjen e forumit më të lartë vendimmarrës të socialistëve, disa nga protagonistët e këtij grupimi janë mbledhur dje në një nga lokalet pranë kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë për të diskutuar dhe ndarë detyrat që do të ketë gjithsecili prej tyre në ditën e sotme. Në takim kanë marrë pjesë figura të njohura të PS-së, deputetët Kastriot Islami, Marko Bello dhe Ben Blushi, ish-deputetët Musa Ulqini dhe Ylli Bufi, si dhe anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani. Natyrisht, tavolinën e ka drejtuar Blushi, i cili u ka shpjeguar pjesëmarrësve të tjerë strategjinë sesi do të sillen gjatë mbledhjes së sotme të kongresit të partisë. Kështu, siç mësohet nga burime pranë këtij takimi, grupi i kundërshtarëve të Ramës do të përpiqet që në fillim që të ndryshojë rendin e ditës së mbledhjes së kongresit, për të përshirë edhe një pikë të tretë, që është diskutimi i paketës së ndryshimeve statutore, por edhe për të ndryshuar vendimin e kryesisë për praninë e medies.
Për t'iu imponuar drejtuesve të kongresit, ata do të përpiqen të shfrytëzojnë pikërisht praninë e medies, që të krijojnë rrëmujë në sallë, me ndërhyrjet e tyre në grup. Nga të njëjtat burime mësohet se do të jetë Ben Blushi ai që do të kërkojë i pari ndryshimin e rendit të ditës dhe në varësi të qëndrimit që do të mbajë nga pala tjetër, do të vijë edhe reagimi i mbështetësve të tij nga salla. Mësohet se Blushi do të kërkojë që rendi i ditës të përcaktohet me votim të fshehtë nga delegatët dhe jo me votë të hapur, siç edhe është vepruar deri më tani në kongreset e shkuara.
Por, duke ditur se cili do të jetë përgjigja për një kërkesë të tillë, ai ka porositur përkrahësit e vet që të mos frikësohen, edhe në rast se masa e delegatëve do të ushtrojë presion ndaj tyre, por të përpiqen që të ngrenë zërin për të krijuar zhurmë dhe për të detyruar drejtuesit e seancës që, për të shmangur daljen e situatës nga kontrolli, të pranojnë propozimin e tyre. Gjithashtu, Blushi ka udhëzuar mbështetësit e vet, të njoftojnë edhe përkrahësit e tjerë që, gjatë debatit për rezultatin e zgjedhjeve, të marrin fjalën të gjithë për të krijuar tek delegatët perceptimin se shumica është kundër qëndrimit të sanksionuar në rezolutën e miratuar një muaj më parë nga Asambleja Kombëtare.
Pjesë e kundërshtimeve të tyre do të jetë edhe drejtimi i Kongresit nga Gramoz Rucci. Sipas tyre kjo e drejtë mund ti takojë sekretarit organizativ Blendi Klosi, por jo Ruccit. Në paketën e propozimeve për ndryshime në statut, e njohur si paketa "Blushi", parashikohet ndryshimi i këtij dokumenti në 10 pika ku, ndërmjet të tjerave kërkohet të forcohet roli i Kongresit të PSSH, duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese e të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e programit elektoral dhe kandidatëve në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme, të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në Kuvend dhe në bashki e komuna për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë.
Pika më e rëndësishme e saj dhe që është bërë pikë konflikti mes palëve, është ajo që ka të bëjë me sanksionimin në statut të detyrimit që kryetari i partisë, kur humbet zgjedhjet e përgjithshme, përveçse ndërpret mandatin, nuk ka të drejtë të konkurrojë më për atë post.