Pëllumbi: Kryetari i ri, me mandat 4-vjeçar
Ish-anëtari i grupit për ndryshimet në statut, Servet Pëllumbi, sqaron se nuk mund të ketë mandat plotësues
Kryetari i ri i Partisë Socialiste që do të zgjidhet gjatë muajit shtator në bazë të parimit "Një anëtar, një votë", do të ketë një mandat të plotë katërvjeçar. Kjo është e parashikuar në nenin 28 të Statutit të PS-së, ku sanksionohet në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se "Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet". Megjithatë, kjo çështje pritet të bëhet objekt diskutimesh sot në Kongresin e Jashtëzakonshëm të kësaj force, ku duket se palët të evidentuara tashmë në debat mbajnë dhe qëndrime të ndryshme. Kështu, grupi i evidentuar si kundërshtarët e linjës zyrtare të PS-së dhe të drejtuar prej Blushit, kanë bërë të ditur se mandati i kreut të ri të PS-së që do të dalë nga zgjedhjet e shtatorit, duhet të ketë një kohëzgjatje dyvjeçare, aq sa dhe plotësohet mandati i ndërprerë i kryetarit aktual të kësaj force, Edi Rama.
Madje, drejtuesi i këtij grupimi, disa ditë më parë, duke dalë nga mbledhja e kryesisë së PS-së dhe duke dhënë arsyet e tërheqjes nga gara, tha se mandati i tij do të ishte vetëm dyvjeçar. Por, duket se ky qëndrim bie ndesh me statutin, i cili në këtë pikë krijon një vakum për shkak se nuk njeh termin "mandat plotësues" dhe nuk jep zgjidhje për rastet kur mandati i një kryetari i ndërpritet, siç edhe ndodhi në rastin aktual. Sipas njërit prej pjesëtarëve të grupit të atëhershëm të hartimit të ndryshimeve statutore, ish-nënkryetarit të PS-së, Servet Pellumbi, mandati i kryetarit të ri të kësaj force duhet të jetë i plotë dhe jo i pjesshëm apo plotësues.
Pellumbi argumenton se statuti nuk njeh mandat tjetër veç atij të plotit, pra katërvjeçarit, ndaj dhe socialistët në zgjedhjet e shtatorit duhet të votojnë për një kryetar që do ta drejtojë partinë për katër vitet e ardhshme dhe jo dy, sa dhe pretendojnë disa individë brenda PS-së. "Kongresi që mblidhet sot është i jashtëzakonshëm, por, meqenëse ka ndërprerje mandati të kryetarit të partisë, ai merr vlerën e një kongresi zgjedhor në parti. Për këtë arsye, për shkak se kemi ndërprerje mandat të kryetarit aktual, statuti parashikon thirrjen e anëtarësisë socialiste për votim dhe ripërtëritjen e mandatit të kreut të PSSH-së.
Pra, socialistët do të zgjedhin një kryetar me mandat të plotë dhe jo të përgjysmuar", - u shpreh ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pellumbi. Ndërkohë, përfaqësues të tjerë të selisë rozë argumentojnë se mandati i kryetarit të PSSH-së nuk është si mandatet kushtetuese, por ai rregullohet me statutin e partisë, i cili nuk e njeh një praktikë të tillë.
Por, një argument i fortë që pritet të përdoret sot gjatë diskutimeve të pikës së dytë të rendit të ditës në Kongresin e PSSH-së, nga përkrahësit e idesë së një mandati të kufizuar dyvjeçar, do të jetë precedenti i vitit 2005, kur vetë Rama u zgjodh kryetar për të plotësuar mandatin e kryetarit paraardhës të kësaj force, i cili kishte dhenë dorëheqjen. Megjithatë, duket se rregullat kanë ndryshuar me miratimin e statutit të ri gjatë vitit 2007, kur PS vendosi që kryetari i partisë të zgjidhet nga anëtarësia, sipas parimit "Një anëtar, një votë".