E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi, rendi i ditës, sipas vendimit të asamblesë

Partia Socialiste mbledh sot Kongresin e Jashtëzakonshëm për të diskutuar dy pika shumë të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë me vlerësimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, si dhe për të hapur garën për kryetarin e ri të saj. Kongresi do mbledhë në fillim, në orën 9 mëngjesit, përfaqësinë e vet (Përbëhet nga 37 anëtarë, nga një përfaqësues për çdo rreth), e cila do të zgjedhë kryetarin e saj.

Do të jetë pikërisht kryetari i përfaqësisë së asamblesë ai që do të hapë kongresin dhe do t'i propozojë atij rendin e ditës të miratuar nga Asambleja Kombëtare, ku në përbërje janë dy pika: diskutime mbi rezultatin zgjedhor dhe miratimin e rezolutës për zgjedhjet, si dhe hapja e procedurave për administrimin e kandidaturave për kandidatë për kryetar të Partisë Socialiste. Megjithatë, rendi i ditës, për t'u zbatuar, duhet më parë të miratohet nga delegatët, një moment ky që pritet të jetë dhe më delikati në këtë mbledhje, pasi grupi i mbështetësve të Blushit do të kërkojë përfshirjen e një pike të tretë për diskutimin dhe miratimin e paketës së ndryshimeve statutore.

Më pas, kreu i përfaqësisë së kongresit, në varësi të vendimmarrjes paraprake të tij do të caktojë dhe drejtuesin e këtij sesioni të jashtëzakonshëm të forumit më të lartë vendimmarrës. Më pas fjala do t'i jepet kreut të asamblesë, Gramoz Ruçi, i cili do të mbajë raportin mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Këtu është paraqitur të shfaqet edhe një set filmik me prova vizive për të vërtetuar atë që Partia Socialiste e ka cilësuar jo pak herë si maskarada elektorale.

Me kaq do të mbyllet pjesëmarrja e medieve për pikën e parë të rendit të ditës së kongresit, për të vazhduar me diskutimet nga delegatet mbi rezultatin e zgjedhjeve. Pas diskutimeve kongresit do t'i paraqitet për të miratuar një rezolutë për zgjedhjet, baza e së cilës natyrisht do të jetë ajo që miratoi Asambleja Kombëtare gati një muaj më parë. Megjithatë, rezoluta do të jetë e hapur për t'u pasuruar apo për t'u ndryshuar sipas propozimeve të delegatëve.

Miratimi i rezolutës do të shënojë dhe mbarimin e seancës së parë të kongresit, për të rifilluar me hapjen sërish të dyerve për mediet, për të ndjekur prezantimin e kandidaturave për kryetar të partisë. Do të jetë sërish kreu i përfaqësisë së kongresit ai që do t'u njoftojë delegatëve numrin dhe emrat e atyre personave që do të kenë paraqitur kërkesën për të kandiduar për kryetar partie. Më pas ata do të ftohen që të lexojnë platformat e tyre.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›