Pollo: Si do funksionojë Provimi i Shtetit
Të gjithë personat që do të mbarojnë shkollën, do t'i nënshtrohen provimit të ri, i cili do t'u japë edhe licencën e profesionit
TIRANË - Hartuesi i projektligjit për heqjen e licencave dhe vendosjen e Provimit të Shtetit, zv/kryeministri Genc Pollo, ka shpjeguar dje se di do të funksionojë kjo procedurë për të gjithë të diplomuarit e rinj. Projektligji nuk prek personat që kanë marrë licencë më parë, por rregullon mënyrën se si do të merren të gjitha licencat e reja. Projektligji i ri synon edhe të reformojë Urdhrat Profesionalë duke i klasifikuar ato vetëm si regjistrues dhe jo si organ që vendos dhe jep licencën.
Pollo ka shpjeguar dje se puna për këtë ligj ka nisur që në kohën kur ai ishte ministër i Arsimit, në bashkëpunim me disa ministri të tjera. "Ligji përmbush një nevojë të brendshme të shoqërisë shqiptare të ndjerë prej kohësh dhe të vënë në dukje me zë të lartë prej shumë kohësh: atë të cilësisë së profesionistëve. Thelbi i këtij ligji është Provimi i Shtetit, pra mund të marrësh diplomën në universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar.
Provimi i Shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e linjës, p.sh., me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët",- shpjegoi dje zëvendëskryeministri Genc Pollo. Sipas tij, anëtarët e Komisionit Kombëtar të Vlerësimit do të jenë profesorë universitarë të fushës përkatëse.
"Në këtë mënyrë, shteti del garant për aftësitë e njohuritë të atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhinier etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet Provim i Shtetit.
Kusht tjetër për të ushtruar profesionin është një praktikë profesionale që mund të zgjasë gjashtë muaj deri në tre vjet",- tha Pollo. Ai shpjegoi se ligji i ri do të veprojë jo për të gjitha diplomat, por vetëm për ato që prekin sigurinë dhe shëndetin publik. Sipas draftit të parë, ligji do të rregullojë licencimin e dhjetë profesioneve, nga 70 që ka në Shqipëri.
Ndërkohë zv/kryeministri preku edhe temën e Urdhrave Profesionalë, të cilët, sipas tij, do të reformohen. "Regjistrimi në Urdhrin Profesional është hapi i fundit që duhet të kryejë profesionisti, pasi ka bërë praktikën profesionale dhe ka kaluar me sukses në Provimin e Shtetit, për të mundur të ushtrojë ligjërisht profesionin e tij. Por Urdhrat Profesionale duhet të kujdesen më shumë për përditësimin e njohurive profesionale si dhe për disiplinime kur kemi shkelje të etikës dhe të rregullave nga profesionistët. Prandaj, edhe aty duhet bërë një reformë më vete",- tha Pollo.