Ndryshimi i statutit, Blushi mbledh 300 firma në kongres
Ish-kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe grupi që ai përfaqëson në debatin që është hapur në këtë forcë lidhur me qëndrimin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe zgjedhjet në parti, ka mundur të sigurojë mbështetjen e 300 delegatëve të kongresit. Kjo të paktën sipas njërit prej përfaqësuesve të këtij grupimi, Marko Bello, i cili gjatë një komunikimi me mediet ka deklaruar se paketa "Blushi", për ndryshimet statutore ka marrë firmat e 300 socialistëve që janë edhe anëtarë të kongresit.
"Në emër të kolegëve, delegatë të kongresit të PS, ju bëj me dije se rreth 300 kolegë kemi firmosur paketën për ndryshime statutore. Janë delegatë nga gjithë Shqipëria", - është shprehur deputeti socialist Marko Bello. Ndër ta ai ka bërë të ditur se janë edhe emra të njohur të PS-së, ku duket se nuk mungon as emri i ish-Presidentit Rexhep Mejdani.
"Ka midis tyre personalitete të spikatur të PS-së, kontribuues në vite të forcimit të forcës sonë politike, midis të cilëve do të përmendja me shumë kënaqësi Profesor, doktor Rexhep Mejdanin, i cili gjithashtu ra dakord të mbështesë këtë paketë, e cila do t'i paraqitet nesër kongresit", - bëri të ditur Bello. Paketa për të cilën bën fjalë Bello përfshin propozimet e paraqitura nga grupi i kundërshtarëve të linjës zyrtare të PS-së, ku parashikohen ndryshimet e statutit të partisë në gati 10 nene të tij.
Firmëtarët e kësaj pakete kërkojnë që ajo të kalojë për miratim gjatë kongresit të sotëm. Ndërkohë, Kryesia e PS-së e mbledhur para disa ditëve vendosi që ndryshimet statutore të bëhen në një kohë më të vonë, pasi komisioni që pritet të ngrihet nga kongresi i ditës së sotme të ketë hartuar dhe konsultuar më parë të gjitha propozimet e paraqitura me bazën.