E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë e këqija, si shpërfill ligjin drejtori i ALUIZNI-t Durrës

Faksimile e vendimit të Gjykatës së Tiranës për Andi Lilën

Edhe kryetari i ZMK (Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit) Altin Goxhaj, gjithashtu është një debitor bankar. Sipas vendimit gjyqësor, që gjendet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Rrethit Tiranë, konstaton se ky person publik, ka refuzuar në mënyrë sistematike të shlyejë borxhin ndaj një banke ku është kredimarrës

Tiranë, 26 dhjetor 12:41 NOA – Kreditë e këqija që kanë prekur bankat, nuk vijnë vetëm nga njerëz me vështirësi ekonomike që çojnë në mosshlyerjen e rregullt të tyre, por edhe nga zyrtarë shtetërorë që shpërfillin rregullat e kontratave me bankat e nivelit të dytë, duke mos likuiduar vlerat debitore.

Agjencia NOA ka qëmtuar në vendimet e gjykatës së Rrethit Tiranë si dhe në Zyrën e Përmbarimit dhe ka konstatuar një numër zyrtarësh të njohur të shtetit dhe përfaqësues organizatash të ndryshme, që janë bërë pjesë e “kredive të këqija” duke mos i likuiduar ato.

Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Tiranë (në fund të shkrimit, bashkëlidhur, gjeni vendimin e plotë), Andi Lila, drejtor i ALUIZN-it për qarkun e Durrësit, së bashku me debitorin solidar, Hiqmet Vora, ka marrë më 2 qershor 2006 një kredi në vlerën 14 400 euro.

Pas marrjes së kësaj paradhënieje bankare, presupozohej që Lila të paguante rregullisht këstet e kredisë.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe duke u nisur nga mosrespektimi i pikave të kontratës, gjyqtari Asim Vokshi ka vendosur më datë 12 maj 2008, lëshimin e urdhrit të ekzekutimit ndaj kredimarrësit Andi Lila, duke ngarkuar Zyrën e Përmbarimit Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.

Burime nga Zyra Përmbarimore Tiranë, pohuan për agjencinë NOA se nuk e kanë zbatuar ende urdhrin e gjykatës.

Alton Goxhaj, nuk shlyen asnjë këst kredie

Kryetari i ZMK (Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit) Altin Goxhaj, gjithashtu është një debitor bankar. Sipas vendimit gjyqësor, që gjendet në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Rrethit Tiranë, konstaton se ky person publik, ka refuzuar në mënyrë sistematike të shlyejë borxhin ndaj një banke ku është kredimarrës.

Sipas vendimit për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të datës 23 nëntor 2007, Altin Goxhaj detyrohet të shlyejë shumën e marrë në formë kredie prej 500 mijë lekësh që ka refuzuar t’i paguajë qoftë dhe një këst të vetëm.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Regleta Panajoti. Banka private që ka debitor Altin Goxhajn, kishte kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për kontratën e kredisë bankare lidhur me klientin e parregullt, duke ngarkuar Zyrën e Përmbarimit Tiranë për ekzekutimin e vendimit.

Përmbarimi, edhe në rastin e Goxhajt, nuk e ka ekzekutuar urdhrin edhe pas kaq kohësh, duke u justifikuar me pretendimin se nuk arrin të gjejë dot debitorin, i cili për më tepër është njeri publik.

Kredia përballë abuzimit

Marrja e kredive nga bankat e nivelit të dytë është shndërruar vitet e fundit në një proces të shumëfrekuentuar, duke krijuar lehtësi financiare për motive të ndryshme, për mijëra qytetarë shqiptarë.

Kreditë, në sajë të disponibilitetit të bankave, lehtësimit të procedurave por edhe konkurrencës, janë bërë të arritshme jo vetëm për bizneset e niveleve të ndryshme por edhe qytetarët e thjeshtë.

Mes tyre, ka shumë qytetarë me të ardhura modeste, por të cilët shlyejnë rregullisht kreditë në bankat që ata kanë zgjedhur, pohojnë analistët e krimeve në banka të ndryshme të nivelit të dytë në vend.

Por mes tyre konstatohen edhe raste të personave që më së paku nuk i shlyejnë këto kredi, dhe për më tepër, edhe refuzojnë t’i shlyejnë këto kredi që kanë marrë, duke u treguar prepotentë.

Ca më keq akoma, ka prej tyre që janë apo përpiqen të jenë, emra të njohur publikë, të cilët bien në nivelin e konstatimeve të mësipërme.

Agjencia e lajmeve NOA ka kryer një vëzhgim dhe ka arritur të sigurojë raste të cilat po i publikon herë pas here, për të denoncuar mënyrën si shkelen kontratat, duke rrezikuar shumë, qytetarët e tjerë që duan të përfitojnë nga marrja e kredive duke i shlyer rregullisht ato.

Analistë të kredive në banka të ndryshme në vend, pohojnë se përballen shpesh kohët e fundit, me raste të tilla, për më tepër, me persona publikë të cilët ndoshta përfitojnë nga ky fakt.

Por analistët konsiderojnë se kjo është një prishje imazhi që pse jo, mund të ndikojë në të ardhmen e kredimarrjes dhe kredidhënies, duke përforcuar rregullat aktualisht goxha të lehtësuara, me qëllim dhënien e një frymëmarrjeje më të madhe për biznesin dhe nivelin e jetesës së qytetarëve.

a.l/NOA

Shkarko attachment >> Andi_Lila_707691400.jpg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›