Berisha: Ndëshkim pedagogëve që i kërkojnë studentëve para për notën

Tiranë, 15 janar NOA Kryeministri, Sali
Berisha përshëndeti sot konferencën Cilësia në arsimin e lartë dhe procesi i
Bolonjës, gjendja dhe perspektiva, organizuar nga ministria e Arsimit, me
pjesëmarrjen e drejtuesve të universiteteve në vend, pedagogë dhe akademikë.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha
vlerësoi arritjet shumë të rëndësishme në arsimin e lartë në Shqipëri, por
theksoi se këto arritje do të mund të konsolidohen dhe kurorëzohen me sukses
vetëm në rast se cilësia në arsim do të jetë objektivi i parë dhe më madhor.
Ju garantoj se qeveria do tju mbështesë, por
ju duhet të gjeni format më të përshtatshme për rekrutimin e më të mirëve në
stafet akademike, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha ndau me pjesëmarrësit
mendime mbi tre çështje të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë:
ndryshimi me shpejtësi i raporti numër studentësh/pedagogë; përshtatja e degëve
dhe fakulteteve me dinamizmin e tregut dhe lufta kundër korrupsionit.
Kryeministri Berisha i ftoi drejtuesit e
universiteteve ta shqyrtojnë çdo procedurë në raport me korrupsionin. Duke
risjellë në vëmendje suksesin e arritur në luftën kundër korrupsionit në
procedurat e pranimeve në universitete, Berisha tha se tani kjo betejë duhet të
përqendrohet tek provimet, duke adaptuar metodat më të papërshkueshme nga
korrupsioni.
Unë do të shtroj me ju një problem jetik,
fondamental për shoqërinë tonë dhe të ardhmen e saj, luftën kundër
korrupsionit. Ne, shqiptarët duhet të jemi të bindur se nuk do të prekim kurrë
të ardhmen që meritojmë pa luftën eficente kundër korrupsionit dhe unë e shtroj
këtë çështje me bindjen më të thellë se gjej mirëkuptimin më të gjerë.
Me një sistem, ne ia dolëm të zerojmë
korrupsionin në pranimet universitare, tani beteja jonë duhet të jetë për
provimet. Ndaj unë ju ftoj juve, të dashur rektorë, dekanë dhe pedagogë, të
adaptojmë në provime metodat më të papërshkueshme nga korrupsioni, le të jenë
më të dobëta, ta supozojmë fishat që ju formuloni, por ju garantoj se do të
japë një cilësi dy herë më të madhe. Nuk ka gjë më të rëndësishme, sesa kjo
betejë. Ndaj ju ftoj që bashkërisht ta bëjmë me zero tolerancë këtë luftë. Nuk
ka më të papranueshme, më të rëndë, sesa kërkesa që i bën pedagogu studentit
për shpërblim për notën. Kur një akt të tillë e bën një polic, anëtar i
Policisë Rrugore, ai kryen një krim dhe ndëshkohet e do të ndëshkohet, por kur
e bën një anëtar i stafeve akademike, i elitës së kombit, kjo është tmerrësisht
e rëndë. Ndaj unë ju bëj thirrje që në mënyrën më të vendosur të luftojmë këtë
kancer të vërtetë tha Bershia.
Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Arsimit
Myqerem Tafaj tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve
me nivel të lartë kualifikimi dhe është në dorën e universiteteve të
përzgjedhin më të mirët në treg.
Universitetet që do të kenë më të mirët, -
tha ministri Tafaj - do të jenë edhe universitetet më të suksesshme.
Ministri Tafaj vlerësoi maksimalisht
implemtimin në një kohë shumë të shkurtër të reformës më të thellë të arsimit
të lartë europian në shekullin e fundit, të Kartës së Bolonjës.
k.k/NOA