E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Ambasada e SHBA-së dhuron 50.000 dollarë për 5 mijë banorë të dëmtuar

Tiranë, 15 janar NOA - Në përgjigje të
situatës së emergjencës krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë, Ambasada
e SHBA-së deklaroi sot se do të dhurojë 50,000 dollarë si ndihmë emergjence për
të mbështetur ata që janë prekur më shumë.

Fondet do ti përcillen Kryqit të Kuq
Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5,000
banorë në veri të vendit.

Së bashku me Ambasadorin Lohan të Komisionit Evropian
dhe Përfaqësuesin e Presidencës së Radhës së BE, Ambasadorin Montobio, Ambasadori
Uidhers vizitoi zonën e përmbytur më 14 janar, me ftesë të Presidentit Bamir Topi.

Ambasadori u shpreh se kjo fazë e parë ndihme
do të pasohet nga një fazë e dytë që do të përqendrohet mbi rimëkëmbjen dhe
rehabilitimin.

Në përgjigje të përmbytjeve, Ambasada
gjithashtu po këshillohet ngushtë me qeverinë shqiptare dhe po bashkërendon me
bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm mbi mënyrën për tiu përgjigjur nevojave të
menjëhershme të popullsisë së prekur, por edhe mbi kthimin eventual të banorëve
në bashkësitë e tyre si dhe nevojën për përpjekje drejt rindërtimit dhe
rimëkëmbjes.

Gjatë vizitës së tij në zonat e përmbytura,
Ambasadori Uidhers u takua me zyrtarë që drejtojnë dhe kryejnë operacione
ndihme, si edhe me familje të prekura nga përmbytjet.  Ambasadori Uidhers
tha se kjo vizitë kishte ofruar një pamje nga afër të ndikimit të përmbytjeve
dhe sfidave që gjenden përballë personave, familjet, banesat, bizneset, dhe
bagëtitë e të cilëve janë prekur nga përmbytjet, Ne mundëm të takoheshim me
shumë njerëz, jetët e të cilëve janë tronditur në rrjedhën e tyre normale, dhe
vizita më ndihmoi të kuptoj shumë më mirë se me çfarë përballen familjet
ndërkohë që u detyruan të evakuoheshin.

Ambasadori vlerësoi përpjekjet për ndihmë dhe
mbështetje të menjëhershme që ofrohet nga qeveritë qendrore dhe vendore,
OJQ-të, bashkësia ndërkombëtare, si dhe shumë të tjerë të përfshirë në
përpjekjet e ndihmës.  Admiroj forcën dhe qëndrueshmërinë e atyre që janë
prekur drejtpërdrejt dhe përgëzoj përpjekjet e shumta të shkëlqyera të
shqiptarëve që po punojnë për të mbështetur ata që kanë nevoja urgjente tani,
tha Ambasadori Uidhers.

k.k/NOA 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›