Berisha: “Ndodhemi përpara një situate emergjence joafatshkurtër”
Kryeministri Berisha ka shkuar vetë dje në Shkodër, për të ndjekur nga afër situatën në zonat e përmbytura, si pasojë e vazhdimit të reshjeve të shumta të shiut dhe prurjeve të mëdha të lumenjve. Fillimisht, kryeministri drejtoi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile, i vendosur në Prefekturën e Shkodrës, ku u analizua në detaje situata në zonat e përmbytura, gjendja në kaskadën e lumit e Drin, përqendrimi total me të gjitha mjetet dhe kapacitetet i institucioneve dhe strukturave të shtetit dhe masat e ndërmarra për përballimin e kësaj situate. Kryeministri Berisha tha se zhvillimet kanë qenë të rrufeshme dhe gjatë ditës së djeshme ka pasur shtim të madh të ujërave, si pasojë e prurjeve shumë të mëdha të lumenjve të Alpeve deri në 1800 m3/sekondë, por edhe rritjes së prurjeve në liqenet e kaskadës së Drinit, që ka detyruar rritjen e shkarkimeve nga kaskada deri në 2900 m3/sekondë. Kryeministri theksoi se ndodhemi para një situatë emergjence joafatshkurtër, për shkak edhe të parashikimeve jooptimiste të kushteve atmosferike në ditët në vazhdim. Berisha kërkoi që përpjekjet të përqendrohen maksimalisht në evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura dhe ato në rrezik përmbytjeje, duke angazhuar të gjitha mjetet e ushtrisë dhe të policisë dhe, në rast nevoje, marrjen me qira të mjeteve shtesë nga kompani private që disponojnë mjete transporti.
Përballimi i situatës
Për një përballim eficient të situatës, kryeministri kërkoi që të krijohen dhe shfrytëzohen të gjitha mundësitë për strehim, duke vënë në dispozicion konviktet e universiteteve, reparte ushtarake, të prenotohen hotele dhe çdo kapacitet tjetër strehues në qytetin e Shkodrës dhe çdo kapacitet strehues në komuna, ngritjen e kampingjeve në sipërfaqet që nuk preken nga përmbytjet. Sipas tij, duhet të bëhen përgatitjet për evakuim më të madh edhe në qytet, të mbyllen shkollat në të gjitha zonat dhe aty ku është e mundur të shndërrohen në vendstrehime për qytetarët, si dhe të sigurohet furnizimi i vazhdueshëm me ushqim, ilaçe dhe veshmbathje.
Ministrat
Kryeministri Berisha njoftoi edhe caktimin e ministrave në krye të shtabeve të emergjencës të komunave. Kështu, Shtabi Qendror i Emergjencës drejtohet nga zëvendëskryeministri; në krye të shtabit në komunën Dajç do të jetë ministri i Brendshëm; në komunën Bushat, ministri i Punëve Publike dhe Transportit; në komunën Velipojë, ministri i Mbrojtjes; në komunën Ana e Malit, ministri i Bujqësisë; në komunën Guri i Zi, ministri i Mjedisit dhe Ujërave; në komunën Bërdicë, ministri i Shëndetësisë; në qytetin e Shkodrës, ministri i Financave së bashku me kryetarin e Bashkisë dhe në rrethina, ministri i Arsimit. Për bashkërendimin e operacioneve, në shtabet e emergjencave do të jenë të pranishëm edhe oficerë madhorë të Forcave ët Armatosura dhe drejtues të Policisë së Shtetit.
Rama: “Berisha, përgjegjës për përmbytjet”
“Përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga premtimet nuk është mbajtur”
Kreu i PS-së: “Në këtë vend nuk ka një qeveri të shqiptarëve, por ka vetëm një çetë të kusarëve”
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka bërë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha për dramën e përsëritur të përmbytjeve në qytetin e Shkodrës dhe komunave përreth. Sipas tij, pak kohë më parë kreu i qeverisë fajësoi shirat, hënën blu, fajësoi kë mundi, edhe Zotin vetë, por nuk mori mbi vete përgjegjësinë që i takonte atij dhe qeverisë së tij për mijëra hektarë tokë të përmbytura, shtëpi të dëmtuara dhe për humbjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale të mijëra e mijëra familjeve që jetojnë në atë zonë. Më pas, ka vijuar Rama, erdhën përmbytje pas përmbytjesh dhe doli se jo një herë në 100 vjet, po edhe pesë herë në vit mund të ndodhë ajo që në fakt nuk ka ndodhur kurrë më parë. “Për të ardhur te kjo përmbytje, e pesta herë brenda vitit, me përmasa katastrofike dhe sigurisht për të njëjtat arsye dhe me të njëjtin fajtor, Sali Berisha. Është faji Sali Berishës dhe është konkretisht faji i Sali Berishës dhe i qeverisë së tij të votave të vjedhura dhe të kutive të mbyllura e për këtë”, - ka deklaruar Rama.
Faktet
Sipas kryesocialistit, kur ndodhi përmbytja e parë Saliu premtoi se kjo gjë, që ndodh një herë në 100 vjet, do të ndodhë vetëm pas 100 vjetësh të tjera, sepse, siç tha ai, do të ndërhyhet menjëherë në shtratin e lumit Buna dhe kjo ndërhyrje do ta zgjidhë situatën. “Referojuni arkivit 8 janar 2010. Sepse, siç tha ai, do të ndërtohet by-pass-i i Shkodrës me qëllim rehabilitimin e zonës së përmbytur dhe moslejimin e ndërtimeve në zona të rrezikuara. Referojuni arkivit 13 janar 2010. Sepse, siç tha ai, studimi i argjinaturave të Bunës dhe thellimi e sistemimi i lumit përmes një projekti që është më i miri i implementuar ndonjëherë në Shqipëri, do ta zgjidhë këtë problem njëherë e mirë. Këto janë premtimet dhe si njeri i premtimeve të thëna, të rithëna, të stërthëna, po të asnjëherë mbajtura, Sali Berisha nuk mbajti asnjë prej këtyre premtimeve”, - ka nënvizuar Rama. Sipas tij, të thuash se sa herë shiu të jetë i furishëm, aq herë do të zhyteni të tërë në ujë, do të thotë të tallesh në mënyrën më cinike me ata që qeveris dhe kjo tallje nuk është asgjë tjetër përveçse vetëdija se votat e tyre, të këtyre shqiptarëve, kudo qofshin, i merr edhe po nuk t’i dhanë ngaqë i vjedh.
Akuzat
Rama ka nënvizuar se koha për t’i mbajtur premtimet e sipërpërmendura ka qenë mëse mjaftueshme. Faktikisht, sipas tij, përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur dhe se kjo që ndodh nuk ndodh për shkak të Zotit, nuk ndodh për shkak të harbimit dhe çmendimit të lumenjve, siç thotë Jozefina, nuk ndodh për asnjë shkak që është jashtë listës së gjatë të shkaqeve që prodhon keqqeverisja.
“Shkodra përmbytet e ripërmbytet e stërpërmbytet e do të vazhdojë të përmbytet sepse Shkodra, si e gjithë Shqipëria, nuk qeveriset. Sepse në këtë vend nuk ka një qeveri të shqiptarëve, ka vetëm një çetë të kusarëve, të atyre që vodhën votat për të vazhduar të vjedhin Shqipërinë. Të atyre që rrinë mbi kutitë e mbyllura se i druhen si djalli temjanit të vërtetës që fshihet në ato kuti. Të vërtetës së thjeshtë se ata nuk duhet të qeverisin, por që duke qëndruar mbi kutinë e mbyllur garantojnë vazhdimin e qëndrimit të tyre në një pushtet që nuk u shërben qytetarëve, që nuk mendon për qytetarët, që nuk punon për qytetarët”, - ka theksuar Rama. Sipas tij, Sali Berisha e ka përmbytur Shkodrën për të pestën herë me paaftësinë totale dhe akoma më keq me papërgjegjshmërinë absolute dhe është fajtor për këtë ç’ka u ndodh sot shkodranëve dhe shqiptarëve së bashku me gjithë oborrin e ministrave, shërbëtorëve dhe klientëve të pushtetit të tij.
Kryeministri u përgjigjet akuzave të Ramës
Lidhur me akuzat e kreut të PS-së në adresë të kryeministrit Berisha se “është përgjegjës për përmbytjen e Shkodrës”, ky i fundit u shpreh se “fatkeqësitë natyrore janë fatkeqësi natyrore”. “Unë po merrem intensivisht me Shkodrën, por po merrem dhe me Tiranën e përmbytur dhe do të merrem me çdo pjese të territorit të këtij vendi. Ndërsa zotërinë e tij, ju e patë pas një turpi kombëtar që bëri. Në ndërgjegjen time do të mbetet gjithnjë e hapur keqardhja që nuk e shkarkova për atë rrugaçëri politike që bëri Ditën e Flamurit, duke e lënë qytetin në një situatë të denjë vetëm për të. Por unë e bëra shpjegimin dhe, për sa kohë është kryetar i Partisë Socialiste, u vetëkufizova pasi me të duhej të flitej ndryshe me atë që bëri. Ne po bëjmë gjithçka për të mos u përmbytur më”, - ka deklaruar Berisha.
3 Dhjetor 2010