E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria e qeveritarëve, 70 milionë lekë për një makinë të blinduar



Ervin KOÇI

Siguria e personaliteteve të larta shtetërore është një nga elementët që përbën pjesën më të madhe të atij zëri në buxhet që njihet si “shpenzime qeveritare”. Këtë e tregon edhe vendimi më i fundit i qeverisë për blerjen e një automjeti të blinduar për shoqërimin e personaliteteve më të larta shtetërore. Automjeti i blinduar i cili do të blihet për vlerën 70 milionë lekë, nuk dihet ende se i cilit tip do të jetë, nëse do të jetë një autoveturë, apo një fuoristradë 4x4. Por deri tani publik është bërë vetëm vendimi i cili autorizon blerjen e këtij automjeti të kushtueshëm për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare. Nga sa mësohet automjeti do të jetë edhe në shërbim të Parkut të Delegacioneve, duke lënë të kuptohet se me të është parashikuar edhe pritja e ndonjë personaliteti të lartë botërore që mund të vizitojë vitin e ardhshëm Shqipërinë. Fondi do të lëvrohet nga buxheti i shtetit të këtij viti, ku në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” dhe të nenit 13 të ligjit nr.10, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, t’i shtohet fondi prej 70.000.000 (shtatëdhjetë milionë) lekësh, për blerjen e një automjeti të blinduar, për parkun e delegacioneve. 2) Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. 3) Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Makinat e blinduara
Automjete e blinduara janë bërë sot mjaftë të përdorshme nga personalitet e ndryshme, ku më kryesorët janë politikanët, bankierët, pronarët e kompanive të mëdha të biznesit, artistët VIP, etj. Në vendin tonë këto automjete u futën në masë pas vitit 1997 ku një pjesë e madhe e njerëzve të biznesit, politikanët dhe policia u pajisën në masë me automjete të blinduara, që kryesisht ishin fuoristrada 4x4. Këto automjete u garantojnë personave që i posedojnë një mbrojtje të mirë në rast të një sulmi ose atentati në rrugë, nga një automjet paralel, nga një snajper, ose nga një atentator i pozicionuar në një vend pritjeje. Automjetet e blinduara janë më të rënda se sa automjetet e zakonshme të të njëjtit tip. Ato janë më të avashta, por kanë më shumë stabilitet në rrugë, konsumojnë më shumë karburant pasi kanë një motor më të fuqishëm, si dhe kanë edhe dritare dhe xhama të blinduar (të pa përshkueshëm nga plumbat). Por automjetet e blinduara nuk janë shpëtimi përfundimtar për autoritet “VIP”, pasi ato janë vetëm një mjet i përshtatshëm për të mos u shpuar nga plumbat e një kalibrate të caktuar, si dhe për ta hequr personalitetin nga zona e rrezikut edhe në kushtet e një sulmi ndaj automjetit. Megjithatë, teknologjia e këtyre automjeteve po përmirësohet dita-ditës. Automjetet e blinduara po bëhen më luksoze dhe më komode, po pajisen me aparatura elektronike speciale për ta dalluar nga larg rrezikun, si dhe po punohet për t’u shtuar atyre shpejtësinë dhe materialin sa më rrezistent edhe ndaj plumbave të fuqishëm. Një kategori e caktuar personalitetesh të larta shtetëror, kanë në zotërim edhe automjete të blinduara që u mbijetojnë edhe eksplozivëve ose dhe pushkëve granat-hedhëse. Sot në tregun ndërkombëtar të këtyre automjeteve që bëhen me porosi, çmimi për automjetet më të mira shkon deri në 1 milionë euro. Vendi që ka kërkesën më të lartë për blerjen e këtyre automjete është Meksika.

BOX//////////////////
Qeveria shiti 14 makina për 6.23 milionë lekë

Qeveria ka shitur më pak se 4 mijë euro makinën luksoze të tipit “Benz ML”, në një kohë që vlera e saj reale në treg është 12 mijë euro. Të 14 makinat në pronësi të Këshillit të Ministrave, të vëna në shërbim të këshilltarëve të kryeministrit dhe të punonjësve të departamenteve të këtij institucioni, janë shitur në ankandin e zhvilluar në 26 prill të këtij viti. Vlera totale e shitjes shkon në 6.213.500 lekë të reja për 14 automjete. Për makinën luksoze tip “Benz ML”, fuoristradë, qeveria kishte caktuar si çmim fillestar shumën prej 125.000 lekësh të reja. Një shifër qesharake po të mendosh se vlera e saj në tregun e makinave shkon më shumë se sa dhjetëfishi i saj. “Opel Omega”, simbol i makinave qeveritare për këshilltarët, ka arritur çmimin më të madh të shitjes në 15 milionë lekë të vjetra, më shumë se sa Benzi luksoz. Makina e tipit “Volsvagen Golf” është e dyta që ka pasur shitjen më të madhe prej 950.000 lekësh të reja. Vlera fillestare e vënë ka qenë 75 mijë lekë, ndërsa janë depozituar 3 kërkesa. Për 14 makinat ka pasur gjithsej 39 ofertues.

Bie shitja e automjeteve të reja në Evropë

Ka shënuar rënie shitja e automjeteve në Spanjë, Itali dhe Francë në krahasim me vitin 2009, për shkak se janë hequr programet për shitje sipas parimit, "e vjetër për të re", ndërsa filluan të veprojnë edhe masat për kursim. Shoqata e prodhuesve të automjeteve në Spanjë “ANFAC”, ka paralajmëruar se ky vit do të jetë më e vështirë, për shkak se më nuk ka subvencione qeveritare për blerje të automjeteve, ndërsa tatimi i vlerës së sapokrijuar është rritur prej 1 korrikut. Në Spanjë muajin e kaluar shitja e automjeteve të reja është zvogëluar për 24 për qind, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, në 82.167, ndërsa gjatë gjithë vitit pritet ulje prej 30 për qind. Në Itali, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Komunikacionit, shitja e automobilave të reja në tetor shënoi rënie për 25,97 për qind, ku vetëm shitja e automjeteve të markës "Fiat" ka rënë për 35,8 për qind. Ndërsa në Francë regjistrimi i automjeteve të reja të udhëtarëve është zvogëluar për 12,9 për qind.

Shkurt///////////////////////////////////
Meta: Investitorët nga Greqia, të mirëpritur për të marrë pjesë në projekte

Biznesi grek është i mirëpritur të kryej investime në Shqipëri. Kjo është deklarata që ka bërë dje zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, në Forumin Ekonomik Greqi-Shqipëri. Meta garantoi investitorët grekë se në Shqipëri do të gjejnë një klimë miqësore dhe inkurajuese, si dhe gatishmërinë e qeverisë për të nxitur dhe përshpejtuar projektet e tyre. “Greqia është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë. Është partneri ynë i dytë për shkëmbimet tregtare dhe ekonomike. Jemi shumë optimist që me vitin që vjen këto shkëmbime të rriten dhe të intensifikohen. Gjatë vitit të ardhshëm në presim të realizojmë disa privatizime të rëndësishme në sektorët energjetikë, sidomos në fushën e energjetikës dhe investitorët nga Greqia janë të mirëpritur për të marrë pjesë në procese transparente dhe me asistencë ndërkombëtare”,- u shpreh Meta. Në këtë Forum ishin të pranishëm Ambasadori i Greqisë, në Tiranë, Nikos Pazios, përfaqësues të biznesit grek dhe shqiptar në vendin tonë. Në fjalën e tij Meta, vlerësoi organizimin e Forumit Ekonomik Greqi-Shqipëri dhe u shpreh se ai do të shërbejë për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Gjithashtu, ai vlerësoi kontributin që biznesi grek ka dhënë për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë dhe ftoi biznesin grek të investojë në vendin tonë, sidomos në sektorin energjetik. Në këtë takimin foli dhe Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikos Pazios. Ai u shpreh se Forumi Ekonomik Greqi-Shqipëri do të ndikojë pozitivisht në shkëmbimet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Duke iu referuar shkëmbimeve mes Greqisë dhe Shqipërisë, Pazios tha se, gjatë vitit 2009 volumi i tyre ka shënuar një rritje prej 2 për qind, duke arritur në 650 milionë euro.

26 Nentor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›