E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tonelata me naftë ndotin plazhin e Vlorës

KATASTROFA/ Rreth 60 ton mbetje nafte janë derdhur në Kanalin e Motorit, ujërat e të cilin lidhen me detin


Policia ka vënë në pranga tre shtetas, ndërsa e ka quajtur të qëllimshëm veprimin e kryer nga të arrestuarit

VLORË - Gjurmë vaji e nafte ka pasur dje në gjithë gjatësinë e bregdetit të Plazhit të Vjetër në Vlorë. Era e naftës është ndier në rrethina, ndërsa bregdeti është gdhirë me ngjyrime të tjera, jashtë së zakonshmes.


Dallgëzimi nuk e ka mbuluar dot një brez të errët, ndërsa Kanali i Motorit, uji i të cilit ka lidhje me ujërat detare, ka përcjellë gjatë gjithë orëve të ditës, madje edhe të natës vonë, sasi nafte në det.


Policia ka shoqëruar tre persona, për të cilët më pas është prerë fletë-arresti, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e "ndotjes së ujërave". Ata dyshohet se kanë derdhur një sasi prej 60 tonësh mbetjesh nafte në det.


Gjithçka është cilësuar si e qëllimshme, madje në deklaratën e saj për shtyp Policia e Shtetit është shprehur se personat që kanë derdhur mbetjet e karburantit në det kanë dashur të shkaktojnë një dëm mjedisor.


Pranë kapitenerisë së portit të Vlorës mësohet se ndotja e bregdetit është bërë nga mjetet e një firme, e licencuar për të operuar me mjetet që transportojnë naftë. "Firma shkarkuese i ka shkarkuar mbetjet në një vend të paautorizuar dhe kjo është përgjegjësi e saj.


Kemi të bëjmë me një kompani të licencuar nga shteti që merret me heqjen e sllazheve, që janë mbeturinat vajore dhe ujore të tankerave (anijet e tonazhit të rëndë që transportojnë naftë e karburante të tjera).


Firma në fjalë i merr këto me bote dhe si rregull duhet t'i dërgojë në Ballsh",- shprehen burime nga kapiteneria. Por mjetet nuk e kanë çuar ngarkesën në Ballsh, ku ndodhet një vend përpunimi, por i ka rënë shkurt, duke shkaktuar kështu një ndotje të rëndë në ujërat detare të Vlorës.


Bëhet e ditur dhe se kompania kishte një marrëveshje me hidrovorin që të shkarkonte ujërat atje. Megjithatë, shkarkimi në fjalë nuk ka qenë "ujëra", por disa bote me tonelata mbeturinash.


Në kapitenerinë e portit të Vlorës mësohet se nuk ka pasur raste të tjera të ngjashme apo ndotje të kësaj natyre, sidomos kjo po t'i referohesh sasisë që ka përfunduar në ujërat detare.


Specialistët pohojnë se përhapja në ujërat detare varet nga erërat, sa favorizuese janë ato. Sipas tyre ende nuk mund të përcaktohet sa është kjo masë ndotëse, për shkak të dallgëzimit.


Ndërkohë, menjëherë pas marrjes vesh të ndotjes së realizuar, në portin e Vlorës është bllokuar edhe anija "Guildo". Ajo është anija e cila është pastruar nga mjetet e firmës që ka shkaktuar ndotjen. Pranë kapitenerisë pohohet se është verifikuar se vetë anija nuk ka lëshuar ndotje.


Gjithsesi, ngjarja ka kaluar në proces hetimi. Janë bllokuar dokumentacionet, ndërsa mjeti detar do të lirohet në një urdhër të dytë.


Specialistë në kapitenerinë e portit pohojnë se për të evituar derdhjen në det të sasisë së naftës, duhen mjete që të thithin këto sasi mbetjeje nafte e sasi vajore, të cilat janë të kushtueshme dhe nuk disponohen. Ndotja riskon seriozisht gjallesat e ujit në ujërat detare, por ende specialistët nuk kanë dhënë detaje për këtë dhe as për nivelet reale të ndotjes.


Dumani: Nuk kemi mjete për pastrimin e ndotjes


I pyetur lidhur me ndotjen e detit, shefi i agjencisë rajonale të mjedisit, qarku Vlorë, Niko Dumani, u shpreh për mediat se ende nuk dihet se sa është masa e ndotjes dhe për këtë nuk ka shifra.


Dumani pohoi se duke qenë se më parë nuk ka pasur përvoja të tilla, edhe njohuria është e cekët e për më tepër, për pastrimin e kësaj ndotjeje nuk ekzistojnë as mjetet. Ndërsa, përsa i përket problemit që do të shkaktojë kjo ndotje tek gjallesat, shpresohet që të jetë e ulët për shkak se nafta qëndron në sipërfaqe të ujit.


Berisha te Petrolifera, mediat pas hekurave


Mediat që kanë ndjekur dje nga afër vizitën e Berishës te Petrolifera kanë hyrë duke u përzgjedhur në mënyrë selektive.


Shumica e kamerave dhe gazetarëve kanë mbetur pas hekurave, ndërsa hyrja është bërë në bazë të listave të përpiluara që më parë.


Gazetarët e mbetur jashtë këtij përurimi, disa herë janë përcjellë nga një portë te tjera nga truprojat, ndërsa jashtë kanë mbetur edhe të tjera struktura të PD-së, simpatizantë, të cilët kanë mbetur të pakënaqur nga këto përzgjedhje.


I pyetur në konferencën për shtyp për këtë qëndrim ndaj mediave, Berisha tha se ftesat ishin bërë nga "të zotët e shtëpisë", duke iu referuar kështu përfaqësuesve të Petroliferës.


Berisha: Ndotja, një stisje si "ora e presidentit Bush"


Në përgjigje të interesimit të gazetarëve për incidentin, Kryeministri Berisha tha se ai ishte një akt i shëmtuar, i organizuar nga i njëjti person që organizoi vjedhjen imagjinare të orës së ish-presidentit Bush:


"Ky është i njëjti veprim dhe stisje që u bë me "vjedhjen e orës së presidentit Bush", - tha Kryeminsitri Berisha gjatë takimit përurues të Petroliferës dhe njëkohësisht në konferencën për shtyp përpara mediave të qytetit bregdetar.


Ky veprim i kryer sot ishte i stisur që vlonjatët të mendojnë se Petrolifera po kryen ndotje të detit në Vlorë, por ata duhet të dinë se ky është impianti më modern në gjithë Mesdheun, me parametra bashkëkohorë dhe tepër i sigurt.


Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit të terminalit të depozitimit të karburanteve, i ndërtuar nga petrolifera italo-shqiptare në Pyllin e Sodës, një investim me vlerë 57 milionë euro.


Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D'Elia, zv.ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane, Adolfo Urso, drejtori i petroliferës italo-shqiptare, Guido Otolengi, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë etj.


Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha e cilësoi këtë investim të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për Vlorën, por edhe për Shqipërinë dhe rajonin. Kryeministri Berisha u shpreh se "në strategjinë e qeverisë sime për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike rajonale, ky është një diamant i vërtetë".


Policia: Ngjarja e ndodhur, e qëllimshme


Lidhur me ndotjen e plazhit në Vlorë, Policia e Shtetit u shpreh se "në mëngjes, rreth orës 08:00, Policia e Qarkut Vlorë ka marrë njoftim se tek hidrovori tek Pylli i Sodës është derdhur një sasi e konsiderueshme mbetje nafte.


Si pasojë e derdhjes në mënyrë të paligjshme të kësaj nafte është ndotur "Kanali i Motorit" (poshtë hidrovorit), si dhe ndotja ka marrë përhapje në det.


Sapo është vënë në dijeni, Policia e Vlorës ka marrë masat duke bërë të mundur të identifikohen e shoqërohen autorët e kësaj ngjarjeje. Nga hetimet paraprake mësohet se këtë ndotje e ka shkaktuar firma "Arkand Xhunior Sh.p.k" me administrator shtetasin Genis Bardhyl Mëhilli, 39 vjeç, banues në Vlorë, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë.


Kjo firmë ka marrë mbetje nafte nga anija "Guildo" dhe i ka shkarkuar në mënyrë të paligjshme në kanalin që lidh hidrovorin me detin, duke shkaktuar një dëm të madh mjedisor. Janë bllokuar 4 autobote, të cilat kanë kryer derdhjen e hidrokarbureve (naftë e vaj) të anijes.


Gjithashtu, janë shoqëruar shoferët e autoboteve: Florian Çeçi dhe Mikel Gjini. Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë derdhur mbetje nafte në mënyrë të qëllimshme për të shkaktuar një dëm mjedisor.


Mbi këta shtetas rëndon akuza e ndotjes së ujërave e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 203 e 25 të Kodit Penal".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›