E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit, si ta sigurojnë formularin personat me mangësi në dokumentacion



Ministria e Drejtësisë publikon disa të dhëna lidhur me ecurinë e procesit të kërkesave për dëmshpërblimin financiar për ish-të dënuarit politikë. Sipas të dhënave zyrtare, që nga 19 dhjetori i vitit 2007 dhe deri më 19 dhjetor të vitit 2008, i përcaktuar në bazë të nenit 19 të ligjit nr. 9831, konkretisht përgjatë një viti të tërë, u depozituan 16.579 kërkesa, të cilat u regjistruan në librat e hyrjes dhe po shqyrtohen. Me ndryshimet e reja ligjore, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 1011, datë 2.4.2009 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish–të dënuarve politikë të regjimit komunist”, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, numri i kërkesave të paraqitura deri në datën 1 qershor 2009 ka shkuar në 18.820 mijë kërkesa. Lista e parë e përfituesve u miratua nga Këshilli i Ministrave më 30 dhjetor 2008 dhe në të kishte rreth 1400 përfitues të dëmshpërblimit financiar. Këtij numri, në një listë të dytë që do të miratohet së shpejti nga Këshilli i Ministrave, do t’i shtohen edhe rreth 3-4 mijë ish-të përndjekur që përfitojnë nga fondi i caktuar për dëmshpërblimin financiar. Të dhëna më të detajuara për ecurinë e çdo kërkese gjenden në Arkivin e Çështjeve të Dëmshpërblimit të ish-të Dënuarve Politikë. Sipas burimeve, të dhënat mbi këtë proces përditësohen çdo javë, ndaj dhe për më tepër informacion, çdo person i interesuar mund të klikojë në adresën www.justice.gov.al. Më pas, duhet të klikojë në portalin Arkiva e Çështjeve të Dëmshpërblimit të ish-të Dënuarve Politikë. Në këtë arkivë do të gjejë gjithsecili çdo informacion të nevojshëm për aplikimin e tij.

Mangësitë në dokumentacion

Ministria e Drejtësisë, në vijim të procesit për zbatimin me korrektësi të të gjitha hallkave procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, u ka dërguar aplikuesve njoftimet për plotësim dokumentesh, si dhe kërkesat për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare. Megjithatë, një pjesë të këtyre njoftimeve Posta Shqiptare i ka kthyer sërish në Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen. Nisur nga ky fakt, Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë aplikuesit, që ende nuk kanë marrë në duar formularët e vetëdeklarimit, që mund t’i shkarkojnë ato nga Arkiva Elektronike e Çështjeve të Dëmshpërblimit të Ish-të Dënuarve Politikë, t’i plotësojnë, duke shënuar numrin e aplikimit (numri korrespondues i dosjes dhe shumë i rëndësishëm për t’u plotësuar), dhe më pas t’i dërgojnë ato nëpërmjet postës në Ministrinë e Drejtësisë.

Si do ta gjeni formularin

Pasi të hyni në faqen zyrtare online të Ministrisë së Drejtësisë www.justice.gov.al, duhet të klikoni tek Arkiva e Çështjeve të Dëmshpërblimit të Ish-të Dënuarve Politikë. Pasi të hyni në këtë faqe, klikoni tek rubrika “Formulari” dhe në krye do të gjeni Formularin e Vetëdeklarimit. Klikoni mbi të dhe printojeni siç është në dy pjesë. Plotësojini të dyja pjesët sipas rubrikave dhe mos harroni të shënoni mbi të numrin e aplikimit (numri korrespondues në dosje). Pas plotësimit dhe nënshkrimit, dërgojeni atë nëpërmjet postës ashtu siç keni bërë më parë për dërgimin e aplikimit. Ministria e Drejtësisë, duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, përfiton nga rasti për t’i siguruar se do të ndjekë me korrektësi të gjitha hallkat procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist” si i vetmi mjet për të garantuar një proces të drejtë, nga i cili do të përfitojnë vetëm ata persona dhe familjet e tyre që janë ish-të dënuar politikë të regjimit komunist.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›