E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Rinas, pas prishjes së krushqisë

DËSHMIA/ Ibrahim Cangu u shpreh i penduar teksa deklaroi se nuk kishte pasur mundësi tjetër veç përdorimit të thikës


Djali i autorit nuk kishte dhënë një arsye për ndarjen e tij me të bijën e viktimës me të cilën kishte qenë i fejuar


FUSHË-KRUJË - "Isha i pirë dhe i vetëm përballë tre personave që nuk më lanë rrugëdalje tjetër përveç përdorimit të forcës",- u shpreh Ibrahim Cangu menjëherë pasi u vu në pranga nga uniformat blu në orët e vona të mbrëmjes së të martës.


60-vjeçari qëlloi me thikë disa herë shtetasin Sherif Memoçi, duke i shkaktuar vdekjen pak metra larg një lokali ku u përballën njëri me tjetrin.


Çështja e nderit të vajzës së viktimës ka qenë shkak për konfliktin e ndodhur në mbrëmje vonë, por që ka përfunduar me një viktimë dhe një të prangosur. Cangu akuzohet për "vrasje me dashje".
Dëshmia


Teksa i janë vënë prangat në duar, Ibrahim Cangu mësohet të jetë shprehur se e ndiente veten në faj për faktin që kishte qëlluar me thikë 51-vjeçarin Sherif Memoçi.


Por më tej 60-vjeçari është shprehur se nuk kishte pasur rrugëdalje tjetër për shkak se kishte pasur përballë tre persona të cilët e kishin kërcënuar, duke përdorur edhe duart përveç dhunës verbale.


Mësohet se një sherr prej mbi 30 minutash rresht mes autorit të krimit dhe Sherif Memoçit bashkë me dy persona të tjerë ka sjellë më tej si pasojë edhe qëllimin me thikë të 51-vjeçarit, e më pas vdekjen e tij. Ngjarja ka ndodhur në sy të dhjetëra njerëzve, në afërsi të vendit të quajtur "Vila Aeroport" në Rinas, pak metra larg aeroportit "Nënë Tereza".


Shkaku


Mësohet se shkak për grindjen mes dy burrave ka qenë fakti që djali i Ibrahim Cangut dhe vajza e Sherif Memoçit kanë qenë të fejuar. Pak kohë më parë, kjo fejesë është prishur pa një shkak nga ana e djaloshit, i cili dikur ka qenë edhe kamerier në lokalin e Memoçit.


Mosdhënia e një arsyeje nga i biri për anulimin e fejesës ka bërë që Cangu të përballej me tre shtetasit Hamdi, Sherif e Pëllumb Memoçi, përkatësisht dy të parët vëllezër, ndërsa i treti, djalë i Sherifit, si dhe vëllai i vajzës së braktisur. Në një lokal mes katër personave ka nisur një konflikt.


Mësohet se Cangu më parë kishte pirë disa gota e më tej është debatuar me 3 anëtarët e familjes së ish-të fejuarës së të birit.


Fillimisht grindja ka nisur me fjalë, ku nuk kanë munguar sharjet, ndërsa më pas janë përdorur edhe duart, duke përfunduar me përdorimin e thikës jashtë lokalit, ku edhe gjeti vdekjen Sherif Memoçi. Mësohet se 51-vjeçari është qëlluar disa herë më thikë, ndërsa vendimtare ka qenë një goditje e dhënë në zemër, çka ka çuar në vdekjen e menjërshme të tij.


Pas krimit, Ibrahimi duke përfituar edhe nga errësira e natës dhe koha me shi ka mundur të largohet për t'iu fshehur policisë, arrati që ka zgjatur vetëm dy orë. Ai është vënë në pranga rreth orës 23:30 të së martës, në banesën e një të afërmi të tij në fshatin Nikël të Krujës. Akuza e ngritur ndaj Ibrahim Cangut është "vrasje me dashje"

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›