E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në 1 maj rriten pagat e mësuesve

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha premton dyfishimin e rritjes së pagave të rreth 45 mijë arsimtarëve në 1 maj. Kreu i qeverisë ka shfrytëzuar 7 Marsin për të ftuar rreth 4.500 arsimtarë (ku gjysma vinin nga rrethet) ku u ka premtuar rritjen e rrogave si dhe shtimin e investimeve në këtë sektor. Në këtë takim u improvizua edhe një video konferencë përmes internetit mes Pallatit të Kongreseve dhe shkollës “Pjetër Arbnori” në Fushë-Arrëz, ku kreu i qeverisë komunikoi me një prej arsimtarëve të kësaj shkolle. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se në këto katër vjet të qeverisjes së PD-së u mbajt premtimi për rritjen pagave të arsimtarëve të të gjitha niveleve. “Sot çdo mësues i këtij vendi është i sigurt, se më 1 maj të vitit 2009 rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005. Mësuesit po ndryshojnë, Shqipëria po ndryshon. Por unë jam këtu për t`u zotuar se në mandatin tim të dytë, mësuesi do të jetë në piedestalin që i takon dhe rritja e madhe e rrogave dhe mundësitë e tjera për punë, kualifikim, strehim do të jenë motoja jonë. Katër vitet që vijnë do të ketë një rritje të madhe të rrogave se sa rritja që patëm në mandatin e parë”, theksoi Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë ai premtoi se gjatë mandatit të dytë të PD-së do të rriten më tej rrogat e arsimtarëve, si dhe do të shtohen investimet në këtë fushë. Sipas kreut të qeverisë, objektiv i katër viteve të ardhshme do të jetë që çdo shtëpi të ketë nga një kompjuter si dhe çdo shkollë të jetë e pajisur me internet. Duke iu referuar shifrave, Berisha theksoi se në këto katër vjet u ndërtuan ose janë ende në ndërtim 361 shkolla të reja dhe konvikte, si dhe po rikonstruktohen rreth 680 shkolla në të gjithë vendin. Por edhe gjatë kësaj mbledhje të organizuar nga drejtoritë e arsimit në rrethe dhe prefekturat në secilin qark, Berisha ka sulmuar ashpër kryetarin e bashkisë së Tiranës, njëherësh kreun e PS-së, Edi Rama, për pengesën që ka krijuar me ndërtimin e shkollave në kryeqytet. Sipas kreut të qeverisë, në shkollat nëpër rrethe një klasë nuk ka më shumë se 25-30 nxënës, ndërsa në Tiranë shumica e tyre kanë rreth 45. Berisha theksoi se në këto katër vjet kryeqyteti nuk është diskriminuar me shpërndarjen e fondeve për arsimin, përkundrazi, sipas tij, kësaj bashkie i është mundësuar marrja e një kredie me vlerë 2.2 miliardë lekë nga Banka Evropiane e Këshillit të Evropës, me të cilat mund të ndërtohen 8 shkolla dhe të rikonstruktohen 18 të tjera. “Po pse? Sepse zoti Rama, i cili edhe ai vjen nga një background universitar dhe prisja që arsimin e kryeqytetit ta kishte përparësinë e parë kjo nuk ndodh, sepse metamorfoza e shndërroi atë në Mr. 15% se s`ka kush të paguajë 15% të vlerës për trojet e kopshteve dhe shkollave, ndaj dhe ato ndërtohen në mbarë Shqipërinë dhe nuk ndërtohen në Tiranë, faturën e paguajnë fëmijët. Kështu që shfrytëzoj këtë ditë për t`i bërë thirrje t`i japë fund babëzisë, me urgjencë të përcaktojë trojet për shkollat në kryeqytetin e vendit”, theksoi më tej kreu i qeverisë.

“Jemi në kohën e internetit”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ndal në Rrajcë, një nga fshatrat më kufitar të Shqipërisë, për të uruar 7 Marsin mësuesve të të gjithë Shqipërisë. Duke folur për investimet në arsim, kryeparlamentarja tha se, “jemi në kohën e ‘Googel’ dhe gjëja më e bukur është kur dëgjova se këtu kanë ardhur 9 kabinete dhe brenda muajit do jenë 36 laboratorë informatike. Kjo është koha e internetit dhe në këto laboratorë do fillojë dhe vënia në punë e internetit. Kjo do të thotë që secili prej fëmijëve do të ketë mundësi të eksplorojë çdo informacion që do t’i duhet për të marrë përtej asaj që mësuesit i japin çdo ditë. Dhe nesër të konkurroni me fëmijët e çdo komune, çdo qyteti dhe të bëheni të suksesshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›