E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Arsimi, do shpenzojmë 5% të PBB

 

Edi Rama premtoi nga Korça rritjen e buxhetit për arsimin nëse PS-ja fiton zgjedhjet. Sipas tij, minimumi i buxhetit të shtetit për sektorin e arsimit do të jetë 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Ajo që do të bëjmë është se do të unifikojmë programet mësimore me një model evropian të përafruar, duke pasur në konsideratë domosdoshmërinë që në të njëjtën kohë të unifikojmë modelin e programeve mësimore me Kosovën. Ne do ta çojmë minimumi 5% kontributin e buxhetit për arsimin”, tha Rama. Kreu socialist ka zgjedhur të hapë librin e Programit të Ri për Arsimin të Partisë Socialiste në qytetin e Korçës. Rama dhe drejtues të lartë të PS-së që e shoqëronin kanë vizituar ekspozitën me tekste të vjetra shqip, të vitit 1912, por edhe më të hershme, ndër to një libër i Sami Frashërit shkruar në vitin 1908 të Aleksandër Xhuvanit, Karl Gurakuqit apo Niko Cekrezit dhe shumë rilindësve të tjerë. Një vizitë në familjen e mësuesit të nderuar Pandi Vakëflli, ka qenë pjesë e vizitës në Korçë. Në takimin me mësues të këtij qyteti në mësonjëtoren e parë të gjuhës sonë, Rama ka theksuar së arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe mjeti më i efektshëm kundër papunësisë. “Flasim sot për një papunësi në rritje dhe për mungesën e alternativave për punësim në radhë të parë për të rejat dhe të rinjtë, por nuk mund të ketë një zgjidhje magjike dhe nuk mund të ketë zgjidhje jashtë arsimimit. Arsimimi është armiku më i efektshëm ndaj varfërisë dhe papunësisë”. Arsimimi është kryefjala e programit të ri të socialistëve. Kryeopozitari u shpreh se me fitoren e 28 qershorit do bëhen realitet gjëra që 18 vite rresht nuk janë bërë, pasi për arsimin vetëm është folur nga politika e vjetër e premtimeve të pambajtura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›