E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH 5 milionë euro nga eksporti me Greqinë

 

KESH ka ndërprerë eksportin e energjisë elektrike me Greqinë. Sipas burimeve nga Ministria e Energjetikës, gjatë periudhës 40 ditore, KESH ka përfituar rreth 5 milionë euro. Eksporti i energjisë mund të rifillojë përsëri në varësi të reshjeve. Aktualisht situata hidrike në kaskadën e Drinit është goxha e mirë. Pjesën më të madhe të kërkesës për energji, KESH e plotëson nga prodhimi vendas, konkretisht konsumi ditor i energjisë arrin në 21 milionë kilovat orë, nga të cilat vetëm 3 milionë kilovat orë sigurohen nga importi. KESH i ka shitur PPC s.a.-së greke, energji elektrike 8 orë në ditë, me një kapacitet 200 MW në total. Çmimi/njësi i shitjes së energjisë elektrike ka qenë çmimi/njësi i bursës së Greqisë për çdo ore– minus 4 për qind. Këto 4 për qind janë humbjet e transmetimit të HTSO (OST Greke) dhe çmimet e bursës nuk i përfshijnë këto humbje. Bursa greke administrohet nga HTSO. Ndërkohë, sipas drejtuesve të KESH-it, përveç kontratës me Greqinë, korporata po shikon edhe mundësinë e eksportit edhe me vende të tjera, dhe kjo si pasojë e situatës së mirë në hidrike.

Fierza

286 metra niveli i ujit në Hec e Fierzës 170 metra niveli i ujit në Hec e Komanit 74 metra niveli i ujit në Hec e Vaut të Dejës 21 milionë kwh konsumi ditor i energjisë 18 milionë kwh prodhimi vendas 3 milionë kwh importi i energjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›