E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të hapen dosjet e ish-sigurimsave



“Kush do karrierë, t’i verifikohet pastërtia”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, jep sinjalin e parë se do të dekretojë ligjin e hapjes së dosjeve. Në cilësinë e politikanit, z. Topi kërkoi hapjen e dosjeve, ndërsa në cilësinë e Presidentit, dje pohoi se do të flasë përmes dekretit. Në këtë mënyrë ai la të kuptohet se nuk do të hezitojë të hedhë firmën mbi ligjin e ri të hapjes së dosjeve. Kryetari i shtetit bëri të qartë se kushdo që do të bëjë karrierë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të pastërtisë. Deklaratat e kreut të shtetit u bënë pas takimit që ai pati mesditën e djeshme me të moshuarit në kuadër të festave të fundvitit. I pyetur nga mediat për ligjin e dosjeve, Topi u shpreh se si politikan është pro hapjes së tyre, kurse si President përgjigjen do ta japë nëpërmjet dekretit. “Në rast se do më pyesni si politikan, unë gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, sa më të gjerë, sa më komplekse. Natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë, ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si President, pastaj unë flas nëpërmjet dekretit”.

I pyetur për rreth deklaratave të ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar një rishqyrtim të ligjit të dosjeve, Presidenti nuk pranoi të bënte komente.

”Unë me natyrën time nuk bëj koment mbi komente”, - tha z. President.

Qëndrimi i kreut të shtetit duket si një kundërpërgjigje ndaj akuzave të opozitës e cila është shprehur kundër votimit të këtij ligji, pasi e konsideron si një ligj shumë të ashpër dhe joevropian. Sipas opozitës, ligji synon goditjen e prokurorëve dhe zyrtarëve që kanë në dorë çështje të rëndësishme, dhe jo dëmshpërblimin moral të të persekutuarve nga regjimi diktatorial që pretendon mazhoranca. Por pavarësisht kësaj, mazhornaca ka përgatitur një ligj të butë, kopje të atij që ka praktikuar Çekia dhe kjo pavarësisht se Shqipëria ka përjetuar diktaturën më të egër komuniste krahasuar me vendet e tjera të ish-bllokut komunist. Edhe kreu i shtetit mbështet hapjen e dosjeve. Bamir Topi iu drejtua gazetarëve: "Ju bëj thirrje t'i riktheheni arkivës. Secila nga mediat ka arkivën e vet dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia për sa i përket çështjes së dosjeve", - u shpreh Topi. Duke iu rikthyer pikërisht të shkuarës, më 25 tetor 2006, kryetari i atëhershëm i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, kërkonte pastrimin e politikës dhe organeve kushtetuese nga ish-bashkëpunëtoret e Sigurimit të Shtetit. Ndërsa dje, Topi u shpreh se në rast se do ta pyesin si politikan, gjithnjë ka qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë profesionale, të gjerë dhe komplekse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›