Numërimi i votave në 5 njësi bashkiake, Lulzim Basha kryeson me 83 vota

Gjatë hapjes së kutive, po lexohen qindra vota të hedhura gabim, por s’po regjistrohen ndryshime në rezultatin e kandidatëve. Nga kronika e ditës, regjistrohet përjashtimi i dy vëzhguesve të PS, për shkak se manipuluan kodet e sigurisë
Përfundon procesi i numërimit të votave në njësinë bashkiake nr.5 në kryeqytet. Pas numërimit të 224 kutive të votimit të 65 Qendrave të Votimit, Lulzim Basha mori 8 vota, ndërsa Edi Rama vetëm 3 vota. Kandidati demokrat udhëheq garën e Tiranës me 83 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama, kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe votat e 6 njësive vendore të bashkisë së Tiranës.
Kjo ishte njësia e pestë bashkiake në Tiranë ku përfundoi procesi i rivlerësimit të votave për kryetar bashkie të hedhura në kutitë e gabuara, një proces ky i nisur në KQZ të shtunën pasdite pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të datës 13 qershor.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhje do numërojë votat e njësisë bashkiake nr.6. Mbledhja pritet të fillojë rreth orës 11:00, për të përfunduar rreth orës 21:00 të mbrëmjes.
Përjashtohen dy vëzhgues të PS, manipuluan kodet e sigurisë
Po dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi numërimin e votave të njësisë bashkiake nr. 4, ku u vërejt qartë epërsia e kandidatit demokrat, Lulzim Basha. 8 grupet e numërimit në KQZ, finalizuan numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, në të 160 kutitë e 43 qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr. 4 ose KZAZ nr. 48. Pas numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e tjera dhe këqyrjes së fletëve të pavlefshme në zarfin përkatës, por edhe fletëve të vlefshme të hedhura jashtë këtyre zarfeve, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha konsolidoi pozitat elektorale duke udhëhequr me 78 vota, kundrejt rivalit të tij të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.
Numërimi i votave për njësinë 4 u shoqërua me debate mes anëtarëve të KQZ-së. Kësisoj, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kundërshtuan numërimin e votave në disa kuti ku mungonte zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme, që ata e argumentuan si një manipulim të hapur. Gjithashtu përfaqësuesit e PS-së kërkuan hetimin e disa kutive, në të cilat nuk përputheshin kodet e sigurisë, të hapjes me ato të mbylljes.
Ndërkohë, KQZ ka përfunduar edhe numërimin e 474 kutive, që i përkasin njësisë bashkiake, 1, 2 dhe 3 në kryeqytet. Gjatë numërimit të votave të hedhura gabim në qendrat e votimit të njësisë 1, që i përket KZAZ-së 45, Lulzim Basha mori 28 vota, ndërsa Edi Rama 26 vota.
Gjatë numërimit në njësinë 2, përkatësisht KZAZ-ja 46, Lulzim Basha mori 21 vota, ndërsa Edi Rama 12 vota. Kurse gjatë numërimit në njësinë 3, që i përket KZAZ-ja 47, në favor të Lulzim Bashës shkuan 20 vota, ndërsa në favor të Edi Ramës 36 vota. Në njësinë bashkiake 1 u hapën gjithsej 156 kuti, në njësinë 2 u hapën 201 kuti dhe në minibashkinë 3 u hapën 117 kuti, ku u numëruan votat e hedhura në kutitë e gabuara.
Para vendimit të Kolegjit Zgjedhor marrë në 13 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hapi 125 kuti votimi, ku vlerësoi votat e kontestuara, e ku në total kandidati demokrat Lulzim Basha siguroi 173 vota, ndërsa kandidati i majtë Edi Rama 83 vota. Por, ajo që shihet është se trendi i votave në këtë proces të dytë numërimi në tryezën e KQZ-së tregon se edhe me vota të hedhura gabim të dy kandidatët për bashkinë e Tiranës Edi Rama dhe Lulzim Basha janë kokë më kokë.
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për vlerësimin dhe numërimin e të gjitha fletëve të hedhura në kutitë e gabuara në hetimin administrativ të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë përfshirë edhe 1793 kuti votimi nga 368 qendra votimi në Tiranë.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zbatuar masa administrative ndaj dy vëzhguesve të Partisë Socialiste, të cilët gjatë procesit të numërimit kanë thyer një kuti votimi si dhe kanë tentuar të manipulojnë kodet e sigurisë, por nuk kanë munguar as fjalët fyese ndaj përfaqësuesve të KQZ. Kësisoj, një nga vëzhguesit e PS-së ka debatuar ashpër me kreun e KQZ-së, Arben Ristani. Kjo ka bërë që Arben Ristani të vendosë për përjashtimin e vëzhguesit të PS-së, Altin Gjino nga procesi i numërimit të votave.
Gjithçka ka ndodhur kur Gjino ka kërkuar fjalën, por kreu i KQZ-së nuk ja ka dhënë. Pas kësaj Gjino i është drejtuar kreut të KQZ-së me fyerje në drejtimin personal të tij. Gjino ka përdorur fjalë fyese ndaj kreut të KQZ-së, Arben Ristani. Motivacioni i përjashtimit të vëzhguesit Gjino, për mosrespektim të institucionit të KQZ-së. Masat e KQZ-së ishin të menjëhershme, ndërsa iu la një afat i caktuar kohor PS-së, për të emëruar komisionerët zëvendësues.