Rama: Kjo qeveri nuk ka prodhuar kulturë, por aheng
Në vijim të prezantimit të shtyllave të programit të ri të Partisë Socialiste Për një Rilindje Shqiptare, është mbledhur sot tryeza e Grupit të Punës për Kulturën. Duke folur në këtë tryezë, Rama tha se vendit nuk i mungojnë burimet njerëzore dhe eksperiencat, por deri më tani kjo qeveri ka prodhuar më shumë aheng se kulturë.
Nuk na mungojnë burimet njerëzore, nuk na mungojnë eksperiencat pozitive, nuk na mungojnë as mundësitë për të qenë të lidhur me një botë që është shumë më e madhe sesa bota jonë e vogël, ku fatkeqësisht nga të gjitha aspektet e tjera, aspekti i kulturës është aspekti që ka vuajtur dhe që vuan më shumë. Është mishërimi i mediokritetit dhe i dritëshkurtësisë së qeverisjes dhe i paaftësisë së plotë të një sistemi të ndërtuar së prapthi, për të prodhuar më shumë sesa aheng dhe argëtim sa për të kaluar kohën apo ditën, tha Rama.
Kryetari i PS deklaroi se Shqipëria nga pikëpamja e kulturës mbetet një fshat i izoluar. Në rast se shohim bilancin e këtyre viteve, është e qartë që në pikëpamje të aktivitetit kulturor Shqipëria mbetet një fshat i izoluar, ku ajo çka mund të numërohet si veprimtari kulturore në një kontekst më të gjerë sesa kufijtë e vet gjeografikë, është tejet e pakët për mos të thënë plotësisht e mangët. E nga ana tjetër politikat tona kulturore janë aq shumë të izoluara brenda këtij fshati kulturor sa që zor se mund të shohësh qoftë edhe një përpjekje në tentativë për të pasur kooperimin kulturor në një nivel europian në axhendën e qeverisjes së kulturës, tha Rama.
Kreu i PS u kërkoi pjesëtarëve të grupit të punës që të hartojnë politikat e nevojshme për ta bërë kulturën shqiptarë pjesë të një kulture më të gjerë, pjesë të kulturës evropiane.
Mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ndryshojmë qasjen duke u vendosur edhe në politikat kulturore në kontekstin europian. Duke u vendosur edhe në politikat kulturore në kontekstin e një vendi që është në mes të Europës dhe që nëpërmjet kulturës, aktiviteteve kulturore, aktiviteteve me qasje krijimtarinë artistike, si edhe kujdesit për gjithë trashëgiminë kulturore, duhet të ndërrojë me patjetër edhe politikën ndaj kulturës. Duke qenë një vend që është në rrugën e integrimit europian, është përballë derës së Europës në përpjekjen për të marrë statusin e kandidatit në BE, Shqipëria nuk mund të jetë më një vend ku qeveria e shikon kulturën si aheng apo si thjesht argëtim në kohën e lirë. Por, duhet të bëhet një vend ku qeveria e shikon kulturën si shprehjen më kuptimplotë të shpirtit europian të shoqërisë, të vizionit europian për shoqërinë dhe të një misioni që në rast se shkon përpara me një vetëdije europiane dhe përmes jetësimit të një qasje europiane ndaj kulturës, padyshim mund të kthehet në një instrument shumë të fuqishëm për integrimin shpirtëror, për integrimin kulturor, për integrimin e bashkësisë sonë në Bashkimin Europian, si një bashkësi që e jeton kulturën europiane dhe këtu brenda kufijve të Shqipërisë, tha Rama.