Berisha: Në fokus, shpëtimi i jetëve njerëzore
“Qëllimi i parë mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore”. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave, duke i’u referuar situatës emergjente që paraqitet në zonat verilindore dhe juglindore të vendit.
Ndërsa pak ditë më parë, kreu i qeverisë shpalli gjëndjen e fatkeqësisë natyrore dhe emergjencës, në fokus solli dhe operacionet e kryera në këto zona. Për të, dita e sotme ka qënë më e qetë se dje, por e rëndësishme sipas tij mbetet dhe përballimi i situatës me mjaftë sukses.
Po përballohen me sukses pasojat e një situate dëbore masive, në më shumë se gjysmën e territorit të vendit, borë e cila ka mbuluar, ka paralizuar trafikun në vende të mëdha dhe të fuqishme por mbi të gjitha ka shkaktuar mbi 620 viktima në të gjithë botën. Sot ka qenë një ditë më e qetë se dje. Sot kam ndjekur në mënyrë konstante operacionet e kryera në zonën e fatkeqësisë natyrore nga Korça në Vermosh.
Duke qëndruar në të njëtën linjë, kryeministri tha se anëtarët e Komitetit të Emergjencave janë të gjithë në terren dhe kanë si qëllim vetëm shpëtimin e jetëve njerëzore.
Anëtarët e Komitetit kanë qenë sot gjatë gjithë ditës në krye të detyrës, në qarqe me probleme. Qëllimi i parë dhe më kryesor është shpëtimi i jetëve njerëzore, ky është objektivi ynë i parë dhe më madhor. Vetëm sot me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjete të tjera ajrore janë transportuar një numër jo i vogël të sëmurësh, mbi 10, janë shpëtuar jetë të kërcënuara, tha më tej Berisha.