E Diel, 1 Nëntor 2026

Një enciklopedi hungareze, prej 19 volumesh i shtohet fondit të Bibliotekës Kombëtare

Një enciklopedi hungareze, prej 19 volumesh është libri që është shtuar së fundmi në fondin e Bibliotekës Kombëtare, në kryeqytet. Një dhuratë simbolike kjo, nga Avni Hafuzi, një shqiptar që jeton e punon në Hungari, që me punën e tij jashtë kufijve na bën të ndihemi krenarë. Këto vëllime janë të një rëndësie të veçantë, pasi në to janë të fiksuara momente të ndryshme historike mbi vendin tonë, të dhëna unike dhe tepër të rëndësishme mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe, e kështu me radhë. Gjithashtu, ditën e djeshme me këtë rast u organizua edhe një ceremoni, ku ishin të pranishëm personalitete të ndryshme jo vetëm të fushës por edhe më gjerë, midis të cilëve edhe Florian Nora, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Budapest. Ishte pikërisht ky i fundit që ia dorëzoi vëllimet në fjalë Bibliotekës Kombëtare, ndërkohë që, Drejtori i saj, Aurel Plasari e falënderoi atë duke i shprehur mirënjohjen e tij për këtë dhuratë të veçantë dhe me vlera të mëdha. Të dhëna të rëndësishme mbi Shqipërinë, mbi gjuhën, letërsinë dhe mbi popullin shqiptar paraqiten në vëllimin e parë të kësaj enciklopedie, ndërkohë që fakte interesante mbi mbretëreshën Geraldinë, fëmijërinë e saj dhe vendlindjen, jepen për publikun e interesuar në vëllimin e dytë. Si një dhuratë që vjen nga fondi i librave të dhuruara nga Presheva, kjo vepër është e një rëndësie të veçantë për Bibliotekën Kombëtare, pasi përveç enciklopedisë së vet asaj iu shtua edhe ajo hungareze, që përmban konkretisht fakte mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndërkaq në volumin 18 të enciklopedisë, do të hasim edhe në zëra mbui një figurë historike si ajo e Zogut dhe mbi veprimtarinë dhe jetën e tij. Gjithashtu, ky akt është i një rëndësie të veçantë edhe për faktin se kjo duhet të bëhet një shembull për të gjithë bashkëkohësit tanë jashtë kufijve, në mënyrë që ata të sensibilizohen në këtë drejtim dhe në rastet kur i krijohen mundësitë, të kontribuojnë në mënyrë të vlefshme për vendin e tyre. Konkretisht, Avni Hafuzi është një prej atyre shqiptarëve, që me jetën dhe veprën e tij i bën shqiptarët që jetojnë e punojnë në Hungari të ndihen krenarë që janë shqiptarë. Me një qetësi prej xhentëlmeni dhe papërtueshmëri në punë, ai ka arritur majat e suksesit në Hungari, duke krijuar emër dhe famë, që pasqyrohet jo vetëm në shtypin hungarez, por edhe në artin bashkëkohorë hungarez. Në Hungari ai sot është një person tepër i respektuar, madje edhe në qarqet e larta shtetërore. Duke qenë nënkryetar i federatës së karatesë, si dhe njëri ndër organizatorët kryesorë të turneut tradicional të karatesë që organizohet në Hungari, ai është i mirënjohur edhe në mes të shoqatave sportive. Në zyrën e Avniut ka diploma mirënjohjeje të panumërta, që më shumë se fjalët e Avniut tregojnë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm social. Këto diploma i janë dhënë nga shumë organizata qeveritare dhe joqeveritare, asociacione sportive, kulturore e humanitare dhe është nderuar edhe me dekorata të shumta....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›