E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Në janar do të ndërtojmë by-pass-in dhe do të thellojmë Bunën”



Eljona Ballhysa
Në janar të vitit të ardhshëm qeveria do të nisë ndërtimin e by-pass-it të Shkodrës dhe do të nisë punën për thellimin e lumit të Bunës, për të shmangur përmbytjet e mëdha, sepse kjo që ka ndodhur për të disatën herë në veriperëndim të vendit. Këtë deklaratë e bëri dje kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, të zhvilluar në Prefekturën e Shkodrës. Berisha e cilësoi përmbytjen e Shkodrës një fatkeqësi natyrore, madje më e madhja që ka ndodhur në Shqipëri në 150 vitet e fundit. Ai tha se 40% e Shkodrës ndodhet nën ujë, ndërkohë që të përmbytura gjenden mbi 14 mijë hektarë tokë. Berisha gjithashtu u bëri thirrje banorëve të zonave të përmbytura që të organizohen për t’u furnizuar me ushqime në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Kreu i qeverisë nuk iu shmang as debatit politik, duke i bërë thirrje opozitës që të mos e përdorë këtë situatë për kredo politike, por të japë ndihmesën e saj.
Projektet
Dy projektet kryesore, që sipas kryeministrit do të nisin realizimin në fillim të vitit të ardhshëm, do të jenë ndërtimi i by-pass-it dhe thellimi i Bunës. “Brenda muajve të parë të vitit që vjen do të fillojë ndërtimi i by-pass-it të Shkodrës, projekti për të cilin ka përfunduar tërësisht. Projekti i by-pass-it u rishqyrtua për t’u shndërruar në argjinaturë. Ky është një projekt i kushtueshëm, faktikisht, është si të ndërtosh një urë 13 kilometra të gjatë, madje në disa aspekte edhe më i komplikuar. Sigurisht, kërkohet edhe një sistem i fuqishëm pompash për evadimin e ujërave të qytetit, pasi ato ekzistojnë, pavarësisht liqenit. Por ndërtimi i by-pass-it do të fillojë dhe do të jetë një ndër projektet e para që tenderohet me buxhetin e ri”, - është shprehur Berisha. Ai gjithashtu deklaroi se qeveria do të marrë masat për përforcimin e sistemit aktual të argjinaturave. “Është tenderuar dhe do të fillojë ndërhyrja e fuqishme në argjinaturën e Çasit. Po ashtu, janë bërë e do të vazhdojnë ndërhyrjet në argjinaturat e tjera. Por, sistemi i argjinaturave është një sistem që, i marrë së bashku, shkon ndoshta 100 kilometra, një sistem shumë i gjatë e kompleks. Sapo të biem në ujdi me Malin e Zi, fillon ndërhyrja e fazës së parë në lumin Buna. Edhe sot po vazhdojnë negociatat me Malin e Zi, sepse ndërhyrjet në një basen të përbashkët ujor nuk mund të bëhen pa një ujdi të plotë të të dyja palëve. Mali i Zi ka treguar gatishmëri të plotë dhe është përpjekur të kontribuojë maksimalisht me atë që ka në dorë”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Situata
Përsa i përket situatës, kryeministri e cilësoi atë fatkeqësinë më të madhe natyrore të 150 viteve të fundit. Ai gjithashtu tha se ka pasur një përmirësim të lehtë të situatës në dy ditët e fundit. “Kjo është situata natyrore më dramatike që vendi ka përjetuar, ndofta në 150 vitet e fundit, të fatkeqësisë natyrore të përmasave më të mëdha, me të cilën Shqipëria është përballur në tërë ekzistencën e shtetit shqiptar. Fatkeqësitë natyrore kanë specifikat e tyre, por kjo fatkeqësi, e cila konsiston në përmbytje masive të territoreve të gjëra të vendit, të mbi 14 mijë hektarëve dhe mbi 40 për qind të qytetit të Shkodrës. Situata nuk them se është stacionare, por ka një përmirësim të lehtë. Te Harku i Bërdicës nuk ka më ujë dhe hyrja është e lirë, çka lidhet me shkarkimet, sepse në fakt shkarkimet janë ulur. Gjithsej, bashkë me prodhimin, janë 1400 m3/sekondë. Po ashtu janë ulur ndjeshëm edhe prurjet në lumenjtë e Alpeve dhe të luginës së Drinit. Drini i Zi dhe Drini i Bardhë kanë një prurje sa gjysma e prurjeve të mëparshme”,- është shprehur Berisha.
Ndihmat
Ai u bëri thirrje banorëve që të organizohen sipas lagjeve apo pallateve, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë furnizim me ushqim. “Një moment shumë i rëndësishëm për ne është një rrjetëzim sa më i plotë e total për furnizimin me bukë, ujë e ushqime. Por kjo kërkon një përgjegjësi qytetare më të lartë dhe Shkodrës nuk i ka munduar kurrë përgjegjësia qytetare. Unë u bëj thirrje banorëve të organizohen mbi bazë pallati, sepse është lënduese në qoftë se ushqimin e marrin vetëm banorët e apartamenteve të kateve të para e të dyta dhe ai që ndodhet në katin e pestë të mbetet pa bukë e ujë. Ndaj, thirrja imë është të ngrihemi në lartësitë e përgjegjësisë qytetare, përgjegjësia më fisnike e njeriut. Ndaj, të ngrihemi në këtë lartësi dhe ne do të furnizojmë pa asnjë vështirësi çdo familje, kudo që ndodhet, me gjërat më të nevojshme. Ky organizim në nivel pallati është i domosdoshëm për ta përmbushur të plotë detyrën, ashtu siç duhet. Ne nuk duam të mbetet as edhe një familje e vetme e braktisur”, - është shprehur kreu i qeverisë.

Talio
Takimi
Berisha-Arvizu: Së shpejti, linjë asistence për zonat e përmbytura

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e ri të SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Gjatë takimit, të dy personalitetet biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, ndërsa u ndalën gjatë në situatën e vështirë të shkaktuar në veriperëndim të vendit për shkak të përmbytjeve. Ambasadori amerikan Arvizu, ndërsa njoftoi se Ambasada Amerikane është duke e ndjekur hap pas hapi situatën e krijuar, njoftoi se së shpejti do të hapet një linjë asistence për zonat e përmbytura. “Unë dua të nënvizoj shqetësimin tim personal dhe atë të popullit amerikan dhe qeverisë sime për situatën e përmbytjeve në Shqipëri. Ne kemi monitoruar situatën nga shumë afër dhe duam të përgjigjemi sa më shumë që është e mundur ndaj nevojave të popullit shqiptar. Dua të lavdëroj autoritetet shqiptare për përpjekjet e deritanishme, të cilat janë shumë mbresëlënëse. E di se me të gjithë ujërat e përmbytjet, me të gjitha vështirësitë, me të gjitha evakuimet, për aq sa jam në dijeni, asnjë jetë nuk është humbur, pa dyshim, përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për t’u kujdesur për mirëqenien, për njerëzit, dhe mendoj se është një gjë shumë pozitive. Iu zotova kryeministrit se ne do të jemi në kontakt të ngushtë me zyrtarët e tij në ditët dhe muajt në vijim, për t’u përpjekur për të vlerësuar nevojat dhe për t’u përgjigjur në masën që kemi mundësi. Unë shpresoj që do të jemi të aftë të shpallim së shpejti një linjë fillestare asistence, ende nuk i kemi të gjitha detajet, por sa të jenë të gatshme unë do të jem i lumtur t’ju vë në dijeni”, - është shprehur ambasadori amerikan, Arvizu.
Ndërsa kryeministri Berisha nga ana e tij, vlerësoi ndihmën e dhënë deri tani nga SHBA-të. “Falënderova ambasadorin dhe e informova gjithashtu për të gjitha përmasat e përmbytjeve në Veri, por edhe në zonat e tjera të vendit. E falënderova për aktin e bujarisë dhe ndihmën që Ambasada ka akorduar në mbështetje të këtyre zonave, sikundër diskutuam gjerësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe e garantova se shqiptarët, të cilët në fakt jemi ndofta kombi më pro amerikan dhe e tëra kjo nënkuptohet si një mundësi dhe si një obligim i yni për të ndërtuar në këtë vend dhe konsoliduar vlerat e lirisë dhe demokracisë, vlera jetike për qytetarët shqiptarë”, - është shprehur Berisha.

Topalli: “Deputetët do të japin një pjesë të rrogës për banorët e përmbytur”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një vizite që zhvilloi dje në qytetin e Shkodrës, vlerësoi kontributin monetar të dhënë nga bizneset dhe nga qytetarët e thjeshtë në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura. Topalli shprehu bindjen se edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të japin një pjesë të rrogës së tyre në ndihmë të këtyre banorëve. “Më ka bërë shumë përshtypje dje numri i qytetarëve të thjeshtë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë financiare në numrin bankar të Bashkisë së Shkodrës, pa folur, pa dashur ta dijë askush. Ata, ato kursime të pakta që kanë pasur, i kanë hedhur në këtë numër llogarie. Natyrisht, kanë filluar dhe bizneset duke ndihmuar. Unë dua t’i falënderoj ata. Jam e sigurt se edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të japin një pjesë të rrogës së tyre, apo do të japin rrogën e tyre, në shenjë solidariteti, ashtu siç kanë bërë qytetarët e thjeshtë, që nuk kanë aq mundësi sa e kanë bizneset, bankat apo firmat e fuqishme”, - është shprehur Topalli. Ajo e ka cilësuar situatën në Shkodër të vështirë dhe ka bërë të ditur se kjo situatë do të zgjasë. “Situata në qarkun e Shkodrës vazhdon të jetë e vështirë, shumë e vështirë; në disa raste është e trishtueshme, është e dhimbshme. Deri më sot janë 15 mijë hektarë të përmbytur. Janë 14 mijë njerëz të evakuuar, janë 2600 shtëpi ku ka hyrë uji totalisht. Janë 4600 shtëpi të tjera, të cilat janë të rrethuara nga uji”, - është shprehur Topalli, e cila ka bërë thirrje për ndihmë dhe solidaritet.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›