Beqja: “Refuzimi i planit të PS-së, mungesë vizioni nga qeveria”
Eljona Ballhysa
Partia Socialiste ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme me akuzat drejtuar qeverisë, duke e ngarkuar atë me përgjegjësi për përmbytjen e radhës në Shkodër dhe zonat përreth saj. Deputeti socialist, Ilir Beqja, tha se përmbytja e pestë e Shkodrës nuk tregon gjë tjetër veçse dështimin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha, i cili nuk arriti të mbante premtimin e bërë 10 muaj më parë. Për më tepër, sipas Beqjes, qeverisë nuk i intereson zgjidhja në themel e problemit të përmbytjeve. Këtë e tregon, sipas deputetit socialist, refuzimi që qeveria i bëri planit të shpëtimit të propozuar nga Partia Socialiste.
Akuzat
“Sali Berisha dështoi dhe pasojat po i vuajnë sot banorët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës, të cilët Saliu, me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij, i përmbyti për herë të pestë brenda një viti. Përballë përmbytjeve që tanimë janë kthyer në një ritual tragjik për dhjetëra e mijëra shqiptarë me pasoja të pariparueshme për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit, reagimi i vetëm i qeverisë së Saliut kanë qenë sulmet ndaj opozitës dhe larja e duarve nga çdo lloj përgjegjësie. A thua se nuk ishte po ky kryeministër që dhjetë muaj më parë, pas përmbytjes së parë, edhe të dytë, edhe të tretë, edhe të katërt, premtonte se një situatë e tillë nuk do të përsëritej më kurrë”, - është shprehur deputeti socialist. Beqja tha se Berishës nuk i intereson zgjidhja e problemit të përmbytjeve më shumë sesa i intereson manipulimi i zgjedhjeve të ardhshme. “Sali Berisha dështoi të bënte minimumin për të parandaluar përmbytjet, por më shqetësues është fakti që edhe sot, duke refuzuar propozimin e Partisë Socialiste për ndërhyrjet në mbrojtje të banorëve dhe tokave të Shkodrës, Nën-Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë nga përmbytjet, Saliu po dëshmon se ai nuk është i interesuar të zgjidhë hallet e problemet e popullit. Partia Socialiste ka bërë një ofertë konkrete për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e vendit nga kënetëzimi, si dhe për mbrojtjen e të gjitha hapësirave të banuara nga përmbytjet, si ajo e Shkodrës, për të cilat nuk e ka fajin as natyra, as Perëndia, por që janë kryekëput një dështim i Sali Berishës. Por edhe kjo ofertë është refuzuar sepse për Sali Berishën prerja e shiritave elektoralë të funksion të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme është më e rëndësishme sesa zgjidhja e problemit të përmbytjeve”, - është shprehur deputeti socialist. Sipas Beqjes, ky refuzim për të pranuar zgjidhjen është treguesi më i qartë i mungesës së vizionit, programit dhe të një plani për të qeverisur Shqipërinë nga ana e Sali Berishës. “Por, mbi të gjitha, ky është një tregues i mungesës të interesimit për të zgjidhur hallet dhe problemet e shqiptarëve nga Saliu, që po e zhyt Shqipërinë përditë e më shumë në baltën e keqqeverisjes”, - është shprehur socialisti Beqja, i cili, së bashku me deputetin Astrit Beci, kanë vazhduar shpërndarjen e ndihmave për familjet e dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Ata kanë qenë në fshatin Trush të komunës Bërdicë, nga ku kanë parë nga afër gjendjen e banorëve të kësaj komune dhe kanë shpërndarë ushqime.
Idrizi: “Duhet zgjidhje politike, juridike dhe morale për çështjen çame”
Gjatë fjalës së mbajtur dje në Konferencën IV shkencore mbi çështjen çame, organizuar nga Instituti i Studimeve Çame, në bashkëpunim me shoqatën “Çamëria”, kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, deklaroi se duhet zgjidhje politike dhe juridike për çështjen çame. Gjatë fjalës së tij, Idrizi foli mbi mënyrat e zgjidhjes së çështjes çame në arenën politike, juridike dhe diplomatike, duke sqaruar edhe rolin që ka luajtur Partia për Drejtësi dhe Unitet në ndërkombëtarizimin e kësaj çështjeje duke kontratuar studio ligjore për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. “Zgjidhjet juridike, që janë njëherazi edhe politike, janë këto: Greqia duhet të shfuqizojë, si në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, dy ligjet diskriminuese ndaj popullsisë çame, që dikur kishte shtetësinë greke. Një ligj i viteve ‘70 dhe një ligj tjetër i viteve ‘80 ia njohu të drejtën e rikthimit në trojet e tyre vetëm atyre ish-shtetasve grekë që megjithëse kishin bashkëpunuar me pushtuesit, apo me komunistët, kishin mbajtur ‘qëndrim të mirë kombëtar’ pas luftës dhe me kusht që të ishin me kombësi greke. Greqia duhet të kërkojë falje dhe të shikojë mundësi shpërblimi për viktimat e gjenocidit të organizuar nga forcat paramilitare apo të krahut të djathtë, ashtu sikurse duhet të parashikojë edhe kompensim për pronat e çamëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi”, - është shprehur Idrizi gjatë fjalës së tij. Ai gjithashtu kërkoi që Greqia të njohë të drejtën e pakicës shqiptare ortodokse dhe të afirmojë publikisht identitetin e vet kombëtar. “Të krijohet mundësia që ish-viktima të gjalla të luftës të kenë mundësi të kthehen për të parë trojet e tyre, varret e të parëve të tyre. Ne kërkojmë zgjidhje në kuadër të normave ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë njëlloj për të gjithë, për të dobëtit dhe për të fuqishmit”, - është shprehur Idrizi.
Haxhinasto takon homologun gjerman: Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Vestervelle. Gjatë takimit, ministri Haxhinasto falënderoi për mbështetjen e pakursyer të Gjermanisë në procesin e integrimi të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave me vendet në zonën “Shengen”. Duke vlerësuar kontributin e Gjermanisë si një nga donatoret dhe investitoret kryesore në Shqipëri, ministri Haxhinasto ftoi biznesin gjerman që të rrisë praninë e tij në Shqipëri. Një gjë e tillë, tha Haxhinasto, favorizohet edhe nga klima mjaft pozitive e krijuar në Shqipëri për thithjen e investimeve direkte. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, ministri i Jashtëm gjerman, Vestervelle, tha se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në të gjitha fushat. Ai siguroi se “Gjermania do të mbështesë integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian, sepse Europa nuk mund të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit”. Ministri Haxhinasto, së bashku me homologët e vendeve të Europës Juglindore, do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën me temë: “Perspektiva për Europën Juglindore - Austri, Gjermani dhe SHBA, në dialog me vendimmarrësit e rajonit”, që organizohet me iniciativën e përbashkët të ministrave të Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Austrisë. Gjatë punimeve të ditës së parë të konferencës do të ketë edhe përfaqësues të njohur të biznesit nga Gjermania, Austria dhe Europa Juglindore. Diskutimet gjatë kësaj konference do të përqendrohen mbi perspektivën e integrimit europian të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
13 Dhjetor 2010