Drita vazhdon me Osmanin, rikthen Abazin

Njëri prej futbollistëve më të kërkuar në këtë verë nga klubet e Superligës, Përparim Osmani ka vendosur përfundimisht rreth së ardhmes së tij. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka vendosur që mos të ndryshoj mjedis, por të paktën edhe një edicion të qëndroi në Gjilan te skuadra e Dritës.
Lajmin e ka konfirmuar për Express trajneri i bardh e kaltërve, Arbnor Morina. Ai njoftoi se klubi i tij e ka rikthyer në skuadër edhe futbollistin tjetër të njohur, Leonid Abazin.
“Jemi të kënaqur që Osmani ka vendos të qëndroj në ekipin tonë, e po ashtu jemi të kënaqur me faktin që Leonid Abazi, i kërkuar nga disa skuadra, ka vendos t’i kthehet Dritës”, tha Morina. Mësohet se Abazi me ngulm qe kërkuar nga kampioni aktual, Prishtina.
Gjatë kësaj vere, Dritën e kanë braktisur disa lojtarë të rëndësishëm, por ata lojtarë gjilanasit janë mundur t’i mbulojnë me këto përforcime të deritanishme: Emir Rama (Flamurtari), Ismet Caka (Kosova V), Ismet Ramushi (Gjilani), Genc Sermaxhaj (Gjilani), Besmir Gjika (Lepenci), Xhevdet Shabani (Lepenci).