Berisha: Në tre vjet bëmë më shumë se PS
Në tetë vitet e qeverisë socialiste janë investuar në qytetin e Shijakut 110 milionë lekë, ndërsa në tre vite, nga Partia Demokratike janë investuar 326 milionë lekë. Kështu iu drejtua dje shefi i qeverisë banorëve të Shijakut. Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare "Muharrem Dollaku" në Shijak. Kryeministri, duke vizituar mjediset e brendshme të saj, theksoi që shkolla ofronte mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, e pajisur me laboratorë mësimorë dhe kabinet informatike. Kryeministri tha se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, edhe pse katër vjet më parë ky premtim u konsiderua elektoral apo luks.