Sekretari i NATO-s, Shefer mbërrin sot në Tiranë
Mbërrin sot në Tiranë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatikut A5. Shefer do t‘i drejtohet me një fjalim përshëndetës këtij takimi dhe më pas do të zhvillojë disa takime me personalitet më të larta të shtetit shqiptar. Në fillim do të jetë Kryeministri Berisha i cili do të presë në një takim të veçantë sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ku më pas do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas konferencës, Shefer do të drejtohet drejt rektoratit të Universitetit të Tiranës për të marrë titullin nga rektori Dhori Kule. Pjesë e axhendës së Shefer do të jetë edhe Presidenti Topi, i cili do ta presë në Pallatin e Brigadave, ku do të zhvillohet edhe ceremonia për dhënien e dekoratës së akorduar nga kreu i shtetit. Në mesditë, Kryeministri do të ofrojë një drekë në vilën 30 për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. Në takimin e A5, me ftesë të ministrit Basha do të marrin pjesë homologët e tij nga Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë.