Bashkia, komisionit "Rama": S‘japim materiale
Bashkia e Tiranës nuk do t‘i përgjigjet zyrtarisht Kuvendit dhe nuk do të zbatojë asnjë kërkesë të komisionit hetimor për kryebashkiakun Edi Rama përpara se të shprehet Gjykata Kushtetuese. Kjo ishte përgjigjja që institucioni i bashkisë i ka kthyer letrës së dërguar pak ditë më parë nga komisioni hetimor, i cili kërkon leje për të marrë informacion nga Bashkia e Tiranës dhe që kryetari Rama të paraqitet për të dëshmuar në komision. Pas një heshtjeje për gati një javë, zyra juridike e bashkisë ka vendosur të përgjigjet për të dyja letrat e mbërritura në këtë institucion. Teksa forcuan argumentin se ky komision nuk është në përputhje me ligjin dhe i miratuar në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e vendit. Pavarësisht përgjigjes negative të marrë nga Bashkia e Tiranës, komisioni hetimor i drejtuar nga Ferdinand Xhaferri, ku marrin pjesë vetëm deputetët e mazhorancës, ka vijuar punën normalisht. Dje u mbajt një seancë dëgjimore me drejtoreshën e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj, dhe më pas me anëtarin e KRRT-së, Marin Biçoku. Drejtoresha Cenaj ka informuar komisionin hetimor mbi ligjshmërinë e procedurave të tenderëve publikë në projektet e këtij institucioni. Cenkaj u shpreh se "nga një hetim i përciptë evidentojmë se në vitin 2008 procedura e përzgjedhur nga bashkia është e gabuar për të gjitha rastet e projektimeve dhe jo vetëm të ndërtimit të objekteve. Bashkia e Tiranës operon me procedurë të hapur, që është procedura e gabuar në këtë rast, pasi ligji detyron procedurën e shërbimit të konsulencës". Edhe anëtari i KRRT-së, Biçoku, i ka cilësuar si të gabuara procedurat e ndjekura nga bashkia në mbledhjen e fundit të KRRT-së. Sipas Biçokut, "objekti i hetimit të komisionit është i drejtë, por debati duhet të jetë më i madh se kaq. Tirana në këto vite është udhëhequr me bojë e penelata. Problemet e mëdha janë brenda trupit të saj". Sipas tij, KRRT-ja po i shqyrton dosjet pa ligjet vendore dhe kjo e vështirëson punën. "KRRT-së i mungojnë rregullat e lojës, pasi bashkia nuk ka dashur asnjëherë t‘i hartojë këto rregulla loje", u shpreh Biçoku.