Presidenti Topi takon Stjuart Xhons
Presidenti Topi priti dje zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës bëhet e ditur se biseda mes dy zyrtarëve të lartë është përqendruar tek marrëdhëniet shumë të mira që ka Shqipëria me SHBA-në. Presidenti Topi theksoi bindjen se pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo vetëm një vend mik e partner, por edhe një aleate tepër besnike në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë. Topi i ka shprehur Xhons mirënjohjen më të thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-së, të ish-presidentit Bush dhe të Presidentit Obama për futjen e vendit tonë në strukturat euroatlantike, gjë që shënoi edhe njohjen ndërkombëtare de jure të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Më tej, kreu i shtetit bëri një përshkrim të hollësishëm të reformave të ndërmarra në vend, si dhe të përgatitjeve për infrastrukturën e duhur zgjedhore. Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, e ka uruar kreun e shtetit dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO.