E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Kush respekton vizën ka lehtësi

Ambasadori amerikan, John Withers, ka vizituar institutin arsimor "Willson", në kuadër të javës amerikane. Ai është takuar me fëmijët dhe nxënësit që studiojnë në këtë shkollë, ka parë nga afër ambientet dhe më pas ka dhënë mesazhe optimizmi për të ardhmen e Shqipërisë. "Mendoj se e ardhmja e Shqipërisë është e suksesshme. Pozicioni gjeografik është i favorshëm pasi ndodhet afër detit. Infrastruktura do të përmirësohet. Por duhet të jemi realistë", ka thënë ambasadori Withers. Ambasadori amerikan, Withers i është përgjigjur interesit të nxënësve për çështje të ndryshme. Një prej tyre ka qenë e lidhur me vizat, për të rinjtë që duan të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Withers ka shpjeguar se ky vendim, që i takon Kongresit, lidhet me sjelljen e emigrantëve pas skadimit të vizave. Në rast se ata kthehen në Shqipëri, kjo ndihmon që procedura për vizat të lehtësohen, në të kundërt, gjithçka bëhet më e vështirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›