Berisha: Nëse e kthen Kushtetuesja, votojmë ndryshimet
Mustafaj: Të huajt, shqetësim për kushtetutshmërinë
Zogaj: Duhet amendament për ish-sigurimsat e penduar
Në rast se Gjykata Kushtetuese kthen ligjin për hapjen e dosjeve, mazhoranca është e gatshme ta votojë atë bashkë me ndryshimet që do të kërkohen. Këtë bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha në përgjigje të shqetësimit të shprehur dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së nga deputeti Besnik Mustafaj. Diskutimi për çështjen e hapjes së dosjeve vijoi edhe përgjatë mbledhjes pa praninë e medias, teksa z. Mustafaj pohoi votën pro për draftin e PD-së në seancën plenare. Por ai kërkoi shpjegim nga Kryeministri Berisha se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës nëse Kushtetuesja e kthen mbrapsht ligjin e pastrimit të figurave publike. Burime brenda grupit parlamentar bëjnë të ditur se Berisha është shprehur se edhe në rast të një ankimimi nga opozita dhe të një kthimi nga Gjykata Kushtetuese, PD-ja do t’i votojë ndryshimet që do të kërkojë kjo gjykatë. Megjithatë, z. Mustafaj ka shprehur para deputetëve shqetësimin e disa ambasadorëve të huaj për kushtetutshmërinë e ligjit, teksa i është referuar një dreke me ambasadorin gjerman. Por Kryeministri Sali Berisha i ka bërë të ditur deputetit të PD-së, Besnik Mustafaj, se kundrejt ambasadorëve është kreu i KE-së, ai që e ka mbështetur në votimin e projektligjit të përgatitur nga mazhoranca parlamentare. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit kuvendor demokrat, deputeti tjetër, Preç Zogaj, kërkoi një amendim shtesë në draftin për pastrimin e figurave përmes të cilit të merren parasysh ish-sigurimsat e penduar. Z. Zogaj la të kuptohet se nuk duhet të riverifikohen ata persona që kanë kaluar përmes procesit të parë të hapjes së dosjeve gjatë mandatit të parë qeverisës të PD-së. Berisha pohoi se është bërë një amendim i tillë për këtë kategori zyrtarësh, por duke vënë theksin mbi faktin se tashmë projektligji do të kalojë për votim, pavarësisht kundërshtimeve që i janë bërë nga opozita apo disa rezervave të shprehura nga disa deputetë të Partisë Demokratike. Kurse në pjesën zyrtare të mbledhjes, me praninë e gazetarëve, pak orë para fillimit të seancës plenare, Berisha konfirmoi vullnetin për të mos u tërhequr nga votimi i projektligjit për lustracionin. Kryeministri Berisha ftoi edhe një herë opozitën të votojë ligjin që sipas tij është një detyrim moral për ata mijëra njerëz që humbën jetën dhe u përndoqën gjatë regjimit komunist. "Janë një numër fare i kufizuar që i bëj përgjegjës unë për malin e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm. Kanë ngelur atëherë si simbol, janë të implikuar, kanë raste secili prej tyre. Dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë që të kryejnë krimet që kanë kryer. Kanë fatin e keq sot që të ngelen simbol i krimeve monstruoze të komunizmit", - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Ai iu referua sërish dje konventave së Gjykatës për të Drejtat e Njeriut që sipas tij, nuk i cilëson antikushtetuese ligjet e lustracionit.