E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, 60 milionë euro për reformat



Komisioni Evropian miraton asistencën për tranzicionin

Fondi, për ndërtimin e institucioneve dhe administratën

Shqipëria vazhdon të jetë përfituese nga fondet e Komisionit Evropian në kuadër të reformave që ajo po ndjek për t’iu përafruar standardeve të kërkuara nga BE-ja. Së fundmi, një asistencë prej më shumë se 60 milionë eurosh iu akorduan vendit tonë në kuadër të mbështetjes për institucionet dhe rritjen e eficencës së administratës civile. Siç bën të ditur në një njoftim për shtyp zyra e delegacionit të KE-së në Tiranë, “Komisioni Evropian miratoi Programin Kombëtar për Shqipërinë në kuadër të Komponentit të Asistencës për Tranzicionin dhe Ndërtimin e Institucioneve të IPA-s për 2008-ën, i cili do të sigurojë një financim maksimal prej 60,917,000 eurosh për të mbështetur vendin në progresin e tij në reformat kyçe”. Këto para do të shkojnë kryesisht për administratën, gjë që ka ndodhur edhe me fondet e viteve paraardhëse. Sipas delegacionit të KE-së, programi përbëhet nga 24 projekte të cilat mbështesin procesin e reformave politike dhe ekonomike të Shqipërisë si edhe përafrimin e vendit me standardet e BE-së. Edhe pse Tirana zyrtare është bërë gati që vitin që vjen të aplikojë për statusin e vendit kandidat, vendi ynë së bashku me vendet e tjera të rajonit, merr çdo vit fonde nga Bashkimi Evropian. Kjo ndihmë jepet në bazë të politikave të BE-së për të mbështetur vendet që aspirojnë për t bërë një ditë anëtarë të këtij organizmi.

Si do të përdoret fondi

60 milionë eurot e fundit kanë destinacione të përcaktuara. Projektet në fushën politike përfshijnë fuqizimin e kapacitetit administrativ të Shqipërisë, ndërtimin e institucioneve të përmirësuara penitenciare dhe paraburgimi, modernizimin e procedurave doganore, si edhe luftën kundër korrupsionit. Në fushën ekonomike, programi mbështet sistemin e arsimit dhe trajnimit profesional, përmirësimin e rrugëve dytësore dhe lokale, si edhe nxitjen e rajonit kufitar të Kukësit. Për më tepër, parashikohet financim edhe në mbështetje të sektorit bregdetar të Shqipërisë për përmirësimin e mbrojtjes publike nga sëmundjet e transmetueshme nga kafshët, për një sistem meteorologjik kombëtar të përforcuar, një sistem monitorimi mjedisi të përmirësuar si edhe për një projekt që synon përmirësimin e rrjetit të autostradave në Shqipëri. Gjithashtu, programi financon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programet e Komunitetit. Kontributi i Komunitetit Evropian nën IPA përfaqëson 90.6% të buxhetit total (afërsisht 67.2 milionë euro) që është përcaktuar për këtë program. Dhurues të tjerë si edhe Shqipëria vetë do të bashkëfinancojnë 9 nga 24 projekte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›