E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nesër aplikojmë në BE

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria do të aplikojë nesër zyrtarisht pranë presidencës çeke për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Berisha, i cili mblodhi qeverinë për të miratuar vendimin për dorëzimin e kërkesës. “Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”, thuhet në kërkesën që do ti dorëzohet Kryeministrit të Çekisë, Topolanek, dhe që mban firmën e Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit, Sali Berisha.
Berisha
Në fjalën e tij para kabinetit, kreu i qeverisë e cilësoi vendimin e Tiranës zyrtare si të një rëndësie historike. Sipas tij, ky përbën një moment dhe një akt të një rëndësie përcaktuese në procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. “Ky vendim i yni nuk vjen si një vendim i njëanshëm, por vjen si një vendim plotësisht i bashkërenduar me vendin që ka Kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, vjen si një bashkërendim me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbështesin këtë akt dhe këtë vendim, vjen si një bashkërendim me Komisionin Evropian”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha theksoi se gjatë këtyre muajve janë zhvilluar negociata intensive me të gjitha kancelaritë e vendeve të Bashkimit Evropian dhe është marrë prej tyre mbështetja për të aplikuar. Kreu i qeverisë bëri të ditur se ky proces mbështetet nga rreth 96 për qind e shqiptarëve. Në fund ai vlerësoi kontributin e opozitës në mbështetjen e reformave, si dhe falenderoi administratën për punën e kryer gjatë këtyre viteve. “Dua të falënderoj opozitën për reformat që ka votuar në parlament dhe dua ta siguroj atë se ky akt nuk është elektoral, se ky akt është në zbatim të rezolutës që kemi votuar bashkërisht në parlament dhe se ky akt është interesi më i mirë i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Ky akt është themelor në programin politik të të gjitha forcave politike serioze të vendit”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Kërkesa zyrtare e Shqipërisë do të paraqitet gjatë paradites së të martës në vizitën që kryeministri Berisha dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë në Pragë.

“Vetëm 3 eurodeputetë komunistë janë kundër”
Kryeministri Berisha tha dje nga qyteti i Elbasanit se të vetmit që kundërshtojnë integrimin e Shqipërisë në BE janë tre eurodeputetë komunistë. Ndërkohë, sipas tij, të gjitha vendet e tjera kanë mbështetur aspiratën e vendit tonë. “Ne firmosëm marrëveshjen e Asociim – Stabilizimit dhe atë e ratifikuan në parlamentet e tyre, në një kohë nga më të shkurtrat, 27 vendet evropiane, duke thënë fjalët më të mira për ju dhe të gjithë shqiptarët, për qeverinë dhe reformat e realizuara. Sapo jam kthyer nga një vizitë, nga një vend mik, dhe mora vesh se të vetmit kundërshtarë në Parlamentin Evropian kishin qenë 3 deputetë komunistë - këtë po jua them thjesht për kureshtje, - të cilët u ngritën në parlament dhe thanë që po e votuat Shqipërinë, ju fusni Ballkanin në luftë. Ndërsa miqtë tanë ishin përgjigjur se Ballkanin e fusim në Evropë dhe Shqipërinë e fusim në Evropë”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Berisha mori pjesë dje në inaugurimin nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 460 milionë lekë. Kjo rrugë ka një gjatësi 22 kilometra dhe sipas projektit, përfshihet sistemimi, asfaltimi dhe ndriçimi i saj, veçanërisht në segmentet e rrugës që kalojnë nëpër qendrat e banuara të kësaj zone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›