Komuniteti i biznesit apel Parlamentit
Dhjetë organizata biznesi i kanë kërkuar Parlamentit që të miratojë projektligjin që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Administrative. “Thirrja jonë për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë është që, në frymën e konsensusit, të miratojnë sa më parë në seancë plenare projektligjin për Gjykatën Administrative, si një çështje prioritare për komunitetin e biznesit në vend”, thuhet në deklaratën për shtyp të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Kur ka mbetur vetëm një muaj përpara mbylljes përfundimtare të legjislaturës në fuqi, komuniteti i biznesit i ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare, që ta miratojnë sa më parë projektligjin për Gjykatën Administrative. “Sesioni i tetë i punimeve të Kuvendit, i planifikuar të përfundojë në mes të muajit maj 2009, e bën tepër të ngushtë hapësirën kohore për miratimin e këtij projektligji duke rritur shqetësimin tonë për këtë çështje. Shtyrja e aprovimit të projektligjit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit do të vononte pa arsye krijimin e Gjykatës Administrative, për të cilën kemi aq shumë nevojë, dhe do të ishte, mes të tjerash, edhe shpërdorim i angazhimit të ekspertëve vendas e donatorëve të huaj që kanë ndihmuar e ndihmojnë në krijimin e kësaj gjykate”, thuhet në deklaratën për shtyp të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Projektligji për Gjykatën Administrative, i cili paraqitet aktualisht për miratim përfundimtar në seancë plenare është një nismë, që gëzon përkrahjen e komunitetit të biznesit, të përfaqësuar në një shkallë të gjerë nga shoqatat palë në këtë deklaratë. Ngritja e Gjykatës Administrative do të mundësojë shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative, duke lënë pas afatet e tejzgjatura dhe mungesën e specializimit në trajtimin e tyre, probleme, me të cilat bizneset ndeshen shpesh. “Mbështetja në hartimin e ligjit dhe për krijimin e Gjykatës Administrative nga donatorë të huaj e, në mënyrë të veçantë, nga faza e dytë e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, është një garanci se kjo gjykatë do të përfitojë nga përvojat më të mira botërore dhe do të ndërtohet mbi bazën e një organizimi modern, efikas dhe transparent”, thuhet në deklaratë. Aktualisht, ky projektligj është miratuar në komisionin parlamentar të Ligjeve më të gjitha ndryshimet e paraqitura. Pritet vetëm miratimi i tij në Kuvend. Por ligji për Gjykatën Administrative në Shqipëri hyn tek ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave, ose 3/5 e 140 deputetëve që ka gjithsej parlamenti, ndaj dhe biznesi i ka bërë thirrje opozitës që ta votojë këtë projektligj. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë - Tiranë, ka qenë iniciatore dhe bashkëpunuese për të projektuar saktë ngritjen e kësaj gjykate.
Gjykata Administrative
Do të mundësojë shqyrtimin në kohë të çështjeve Çështjet administrative do të shqyrtohen me më efektivitet Do të lerë pas afatet e tejzgjatura dhe mungesën e specializimit në trajtimin e tyre.