Frenimi i gabuar, pesë makina përplasen te Qyteti i Nxënësve
TIRANE - Një frenim i pakujdesshëm i një shofereje të re, që drejtonte makinën në afërsi të Qytetit të Nxënësit në kryeqytet, shkaktoi dje një aksident mes pesë automjeteve. Ngjarja nuk ka shkaktuar viktima, me përjashtim të dëmeve materiale në mjetet që u përfshinë në aksident. Përplasja e makinave, e cila bllokoi trafikun në rrugë për më se 40 minuta, ka ndodhur dje rreth orës 17:00 në rrugën e Kavajës në Tiranë. Sipas policisë, një vajzë e re e cila drejtonte makinën ka frenuar krejt papritur, sapo ka parë që i kishte rënë targa e pasme e automjetit. Pakujdesia e saj ka bërë që makina që vinte pas të përplasej me të dhe kështu me radhë edhe 3 makina të tjera. Aksidenti mes pesë makinave ka paralizuar trafikun për disa minuta. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar Shërbime të Policisë Rrugore dhe të Rendit për të parë nga afër situatën që ishte krijuar. Sipas policisë, në vendin e ngjarjes ka pasur debate të ashpra mes drejtuesve të automjeteve të përplasura, për dëmtimet që kishin pësuar makinat e tyre. Pas ndërhyrjes së policisë, situata është qetësuar dhe automjetet kanë nisur të lëvizin lirisht. Policia rrugore ka marrë shkas që t'iu bëjë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të jenë më të kujdesshëm, kryesisht në kryqëzime dhe pranë semaforëve, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodhin të tilla aksidente. Edhe më parë frenimet e pakujdesshme kanë shkaktuar aksidente të tilla, ku një varg i tërë makinash janë përplasur njëra pas tjetrës, pasi janë gjetur në befasi nga makina e parë që bënte një frenim të tillë. Policia ka marrë në pyetje pesë drejtuesit e automjeteve të përplasura dhe pasi ata kanë sqaruar rrethanat në të cilat kishte ndodhur aksidenti, janë lejuar që të vazhdojnë qarkullimin përgjatë rrugës së Kavajës. e.d