Karamanlis në Tiranë, takon Berishën e Ramën
Kryeministri i Greqisë Kosta Karamanlis nis sot vizitën dy ditore në vendin tonë. Kreu i qeverisë greke do të pritet në 12:50 në Kryeministri, nga homologu i tij Sali Berisha, dhe në orën 13:00 do të zhvillohet takimi kokë më kokë mes tyre. Më pas nga ora 13:20 deri në 14.00 do të takohen dy delegacionet që i paraprin nënshkrimit të disa marrëveshjeve, mes të cilave marrëveshja për kufirin ujor mes dy vendeve. Në orën 14:10, dy kryeministrat, Berisha e Karamanlis do të dalin para mediave. Gjatë ditës së sotme, Kryeministri grek do të ketë takime edhe me Presidentin, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetarin e PS-së dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama si dhe me fortlumturinë e Tij Anastas, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë. Gjatë pasdites, Karamanlis do të mbajë një fjalim në seancën parlamentare. Pak ditë më parë qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e negociuar prej një viti që ka të bëjë me përcaktimin e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare”, thuhet në nenin 1 të marrëveshjes ‘ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare’. Ndërkohë një ditë para ardhjes së Karamanlis, komuniteti çam protestoi në kryeqytet teksa i kërkoi krerëve të shtetit tonë që në qendër të bisedimeve të jetë çështja çame. “Të lejohen moshat e mëdha të shkojnë pranë varreve të parëve të tyre, për t’i nderuar me një tufë lule. Së dyti, të ngrihet një memorial në Tesproti në nderim të viktimave të pafajshme të popullsisë çame gjatë viteve 1944- 1945. Së treti, të nisin bisedimet mes dy qeverive për zgjidhjen e çështjes “çame”, e cila do t’i shërbejë të tashmes e së ardhmes evropiane të Shqipërisë e Ballkanit”, ishin kërkesat e artikuluara nga kreu i PDI-së, Tahir Muhedini.