E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nga 1 shtatori nis shembja e ndërtimeve në rërë

Berisha gjatë nje mbledhje te qeverise

Që nga data 1 shtator, të gjitha ndërtimet pa leje në zonat bregdetare, që nga Ksamili deri në Velipojë, do të shemben me urdhër të Këshillit të Ministrave. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, lëshoi dje një mesazh të fortë për të gjithë ndërtuesit e paligjshëm në bregdetin e vendit, të cilët sipas tij me ndërtime pa kriter po dëmtojnë imazhin e bregdetit. Kryeministri paralajmëroi se në dekretin e posaçëm që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punës, do të parashikohen masa ndëshkuese për krerët e pushtetit vendor, që nuk kanë parandaluar ndërtimet pa leje. Thirrja imë është kjo: Prishini vetë, në mënyrë që të përdorni edhe materialet që keni aty. Sepse ato do të kenë vetëm një fat, ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe unë do ti qëndroj fjalës sime. Sidomos në bregun Jon, por edhe në atë Adriatik. Perlat janë perla, po shkove dhe i vure një njollë të zezë aty, i bën njerëzit të kthejnë kokën, ndaj edhe njëherë mos shpenzoni para, të nderuar zotërinj, të babëzitur deri në palcë, sepse me qetësimin e sezonit, me rënien e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të veprojë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shpërfytyruar, prishini vetë se do të paguani edhe për prishjen e tyre. Një dekret i veçantë do të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë për të qëndruar me të gjithë forcën e ligjit ndaj këtyre pak njerëzve që duan tu shkatërrojnë shqiptarëve një pasuri përrallore që e kanë nga Zoti, deklaroi Kryeministri. Berisha deklaroi dje se sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj që vendosën të pushojnë në Shqipëri që, sipas tij, kanë arritur shifrën rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit, në krahasim me një vit më parë.

PS: Turizmi, dështim i qeverisë

Partia Socialiste reagoi dje, pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha, duke i cilësuar ato si përralla. Në një dalje për mediat, sekretari për Programin, Ilir Beqja, tha se Berisha vazhdon e injoron hallet dhe problemet e vërteta të shqiptarëve. Kryeministri foli për rrugët e reja, por nuk pati kurajën tu kërkojë falje shqiptarëve për vonesën vetëm për faj të tij të akseve LevanTepelenë, LevanDamës. Kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demonstroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit, tha Beqja.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›