E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Njerëzit me të cilët konsultova qeverinë e re

Intervista / Kryeministri i rimandatuar, Sali Berisha, tregon prapaskenat e formatimit të kabinetit të ri qeverisës


Gjatë një bashkëbisedimi me analistë në emisionin "Opinion", kreu i rimandatuar për formimin e qeverisë së re, Sali Berisha, u është përgjigjur pyetjeve lidhur mbi procesin e formimit të qeverisë së re, duke shpjeguar arsyet e lëvizjeve në të. Berisha nuk ka lënë pa komentuar edhe marrëdhëniet me Presidentin Topi, si dhe me opozitën.


Cila ka qenë filozofia e kompozimit të qeverisë së re? Vihet re se nuk ka emra të rinj si në vitin 2005?

Përzgjedhja e këtij kabineti ka qenë një proces i vështirë për mua, se me një ekip ne trasformuam klimën për biznesin, bëmë një revolucion fiskal, dyfishuam të ardhurat, rrogat dhe pensionet. Pra, jam i bindur se ai ekip, duke mos pretenduar për përsosmëri ishte i suksesshëm. Nga ana tjetër, qytetarët shqiptarë votuan për një epokë të re në marrëdhëniet politike mes forcave politike mes së majtës dhe të djathtës.


Diktuan një koalicion. Nuk i dhanë votat e mjaftueshme një pale, por i dhanë aq vota sa ai të bënte një koalicion dhe kjo përbën një risi të qartë. Mendoj se në rrafshin edhe politik, por dhe në rrafshin social, do thosha se përbën risi pozitive.


E vërteta është se qytetarët shqiptarë, në një farë mënyre, u dhanë një përgjigje kampeve në këto zgjedhjeve, duke u thënë se nuk mund të qeverisni vetëm, por në një koalicion. Kjo është risia e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Kështu që, për shkak të këtij koalicioni, natyrisht, disa nga ministrat e kabinetit do lëshonin vendin, përsëri disa anëtarë të koalicionit të mëparshëm nuk hynin dot për shkak të proporcionalitetit, atëherë u krijua ky kabinet ku bazë padyshim është merita. Në përzgjedhjen e këtij kabineti kam pasur vështirësi.


Bazë ka qenë merita, por është bërë së dyti dhe një përzgjedhje mbi kriterin politik. Kjo nuk do të thotë se ata që u larguan kanë patur integritet të ulët politik, si Gjana e Beja, por unë bëra këtë përzgjedhje duke mos qenë i përsosur, por është ndër më të mirat.


Cila ka qenë merita e Mediut?


Me PR-në ne kemi një marrëveshje, që do bëjmë fushatë së bashku dhe do qeverisim së bashku. PR-ja mori 32 mijë vota dhe futi Mediun në Parlament dhe votat e tjera janë kontribute për koalicionin. Nuk jam dhe nuk mund të isha unë që të përcaktoja emrin se ai nuk do ishte koalicion, por bishtat.


E kam bërë publike se do pranoj kandidatin që do sjellë partia. Zoti Mediu ka një dosje në gjykatë. Një gjë të dini se akuza e parë e bërë për korrupsion u rrëzua nga ata që u formulua. Dosja e dytë është për shpërdorim detyre, por qeveria ime nuk do sjellë as pengesën më të vogël se për të nuk ekziston imuniteti. Nëse mendoni se u vendos për t'i krijuar imunitet, e keni gabim.


Do të preferonit një emër tjetër nga PR-ja?


Unë e kam shprehur dhe e shpreh se do të pranoj kandidaturat që do të sjellë PR-ja. Nëse do të shprehja preferenca, asaj partie do t'i diktoja, gjë që në mënyrë absolute nuk e bëj, sepse ajo parti është sovrane. Më mirë do e grisja marrëveshjen se sa t'i diktoja emra. Nuk jam penduar fare për marrëveshjen me PR-në, sepse është aleat i PD-së që nga themelimi i saj.


Ky kabinet me këto emra, duket si një PD e të rikthyerve dhe e KOP-it; ajo e "vjetra", si e zotit Bode, p.sh., nuk është prezente. A krijon ndonjë sensibilitet tek PD-ja e "vjetër"? Së dyti, emrat që ju shpallët ishin surprizë, mos ka mungesë transparence brenda PD-së dhe të ketë të pakënaqur?


Për mua nuk ekziston një PD e vjetër apo e re. Një e vërtetë është, se disa prej këtyre personalitete, sot ministra, kanë pasur disa periudha kundërshti të mëdha me mua. Por secili prej tyre ka meritat e tij të padiskutueshme në PD që nga themelimi i saj. Rikthimi i tyre në PD ka qenë shumë i mirëpritur. Unë jam shumë i lumtur që sot Neritan Ceka bashkëpunon me mua në fushën e kulturës.


Por nuk kam qenë asnjë herë jo i sinqertë. Këta janë sot, për investimin dhe kontributin e tyre në vite. Unë e konsideroj këtë një plotësim dhe e kam pritur me shumë kënaqësi bashkimin me zotin Pollo, i cili u shkëput. Emrat janë konsultuar me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, me zonjën Topalli, Bode, Patozi pjesërisht. Por janë mbajtur, sepse u bë studim mbi studim.


Koalicioni me Metën ishte koalicion liderësh apo programesh. Po të ishte Rama në vendin e Metës, do të bënit koalicion?


Absolutisht po, do të bëja koalicion. Do të lexoja votën e shqiptarëve. Zoti Meta ishte në këtë rast, krijonte një qeveri konstante dhe e bënte vendin me një opozitë të fuqishme. Para interesave të gjera të vendit, nuk do të jetë kimizmi politik. Do e bëja dhe me Ramën, po të mos ecte, do të thosha para shqiptarëve që nuk ecën.


A ka moral politik ky koalicion? Ju në vitin 2001 keni bërë dy akuza të forta kundër LSI-së, vjedhja e zgjedhjeve dhe korrupsion ndaj KESH-it, dhe LSI-ja ka ministrinë që menaxhon KESH-in. Ka ndryshuar Meta apo ju?


Ilir Meta ka disa vite në opozitë, u ka rezistuar presioneve më shumë se çdo forcë tjetër politike. Është një forcë politike e konsoliduar. Marrëveshja politike është marrëveshje politike. Nëse vendos një marrëveshje të tillë, do e zbatosh. Çfarë t'u thosha unë shqiptarëve, që, për shkak të 2001-shit, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.


Po në vitin 2009, ju keni thënë se LSI-ja është gjysma e kalbur e së njëjtës mollë?


Mos të marrim shprehjet e fushatës, se ato janë të fushatës. Në rast se Meta do të refuzonte të bënte qeveri me mua, atëherë unë do të bashkëpunoja me gjysmën tjetër të kësaj molle, që është Rama.


Gjatë fushatës, premtuat një qeveri të vogël me 12-13 ministri dhe ndërkohë që e zmadhuat. Së dyti, doja t'ju pyesja si u ndjetë në negociata me LSI-në, kur ai ishte Kryeministër kur ju u arrestuat?


Lidhur me ministritë, nëse do kisha fituar si PD zgjedhjet, do të kisha një qeveri të tillë. Tani jemi një koalicion. Zoti Meta formimin e tij politik e ka tek politika e jashtme, dhe do të drejtojë dhe koordinojë të gjithë procesin e integrimit.


Ministri i Jashtëm, për shkak të detyrave që ka, nuk mund të jetë ai që të lidhë qeverinë me Parlamentin, prandaj këtë do e bëjë Pollo. Ndaj, tërë këto detyra e bëjnë të domosdoshëm një ministër të tillë. Ndaj unë nuk kam shtuar asgjë. Kemi qenë 16 si kabinet qeveritar dhe po aq do të ulemi. Së dyti, nuk merrem me inate personale, por merrem me të ardhmen.


A janë të përfaqësuar në qeveri, shtresëzimet e PD-së, si Topalli, Topi?


Çdo njeri që në PD do të përfaqësohet ka kryetarin e vet. I përfaqësoj unë. Edhe zonjën Topalli dhe zotin Topi e përfaqësoj unë. Partia përfaqësohet nga kryetari. A ka hapësira, ka. Ka pasur debate dhe dialog.


A është një grup parlamentar inatesh ky që hyri në Kuvend i PD-së, një fakt që lidhet me raportin e disa deputetëve që lidhen me Topin, që nuk janë më as në grupin parlamentar të PD-së, as në ministri? A keni pasur parasysh raportin e tyre me Topin, si për shembull, Sali Shehu, Pal Dajçi, Safet Sula etj...


Absolutisht jo. Mua më vjen çudi, se një listë të tillë s'e kam parë ndonjëherë. Njerëzit mund të drekojnë dhe darkojnë me cilindo. Unë vlerësoj kontributin e çdo njeriu. Vlerësimin e ndërtoj në anën pozitive të secilit. Gjithçka bazohet tek ekipi dhe drejtuesi i ekipit, s'mund të drejtoj një ekip, duke u marrë me anët negative të tij.


Ai duhet të shfrytëzojë anët më pozitive të tij. Për shembull, po marr Pal Dajçin, kam respektin më të madh për të, se kam kaluar një karrierë të tërë politike, apo Safet Sula, është një nga njerëzit me integritet më të mirë. Por gjithnjë, kur bën një listë, nuk i përfaqëson të gjithë personalitetet.


Si i keni marrëdhëniet me Presidentin Bamir Topi?


Marrëdhëniet e mia me Presidentin Topi janë ligjore, institucionale.


Cila ka qenë logjika për të çuar Nishanin tek Ministria e Drejtësisë, që ka qenë një pikë problematike për ju? Cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes së Genc Rulit, tek Bujqësia apo e Arben Imamit tek Mbrojtja?


Kriteri i përzgjedhjes së Bujar Nishanit, si ministër i Drejtësisë, është se ai është një nga drejtuesit më me eksperiencë të PD-së. Një nga problemet më madhore është vuajtja e dënimit, unë mendoj se Nishani do t'i përgjigjet plotësisht kësaj detyre. Është një politikan me karrierë të gjatë në PD, me kontribute të veçanta.


Pse u lëviz nga ministri i Brendshëm? U lëviz për shkak të një operacioni që nuk i ka cenuar atij asgjë nga kapacitetet mendore, i është vështirësuar lëvizja. Dhe ministri i Brendshëm ka shumë lëvizje jashtë vendit.


Po të flasim për vizat, Ministria e Brendshme është kryesorja, ndaj në këtë drejtim është i domosdoshëm një reagim shumë aktiv.


Zoti Basha është shumë i qeshur për të qenë ministër i Brendshëm...
Asnjë njeri nuk ka lindur ministër. Basha do t'i përgjigjet shumë bindshëm Ministrisë së Brendshme.


Për PDI-në, ju nuk bëtë asnjëherë negociata dhe nuk i ndatë njësoj me PR-në postet e ministrave. Pse?


Jam deklaruar se çdo aleat i imi në ndarjen e qeverisë, do të ketë koncesion nga PD më shumë se vota. Por PDI ka marrë 14.000 vota, ndërsa PR morri 32.000 vota. Ndaj nuk ka asnjë tjetër, veçse proporcionalitetit. Po kështu, në këtë parti ka disa probleme. Unë nuk përfshihem, ndaj u kam thënë, zgjidhni problemet më parë. Partitë e vogla dëmtohen nga mosmarrëveshjet e tyre.


Katolikët kanë zgjedhur 14 deputetë dhe nuk janë përfaqësuar në qeveri...
Ky është një komunitet ku PD-ja ka një mbështetje të fuqishme. Qeveria në tërësi në qeverisje është e përfaqësuar në një nga nivelet e larta të shtetit, zonja Topalli. Por natyrisht, nuk ka qeveri pa defekte dhe janë gjëra që rikuperohen.


Nëse Topi nuk e dekreton Mediun si ministër të Mjedisit, si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje?


Në të drejtën Kushtetuese ministrat janë atribut i Parlamentit dhe Kryeministrit. Ky është një atribut i kushtëzuar i çdo Presidenti. Në një republikë parlamentare nuk ekziston që Presidenti të emërojë apo shkarkojë ministra. Është Parlamenti thelbësor dhe më i rëndësishmi në një sistem të tillë.


Ka pasur ndikim të Nanos në marrëveshjen për koalicionin?


Nuk mendoj se ka pasur asnjë ndikim. Ka një tendencë nga Rama ta kthejë Nanon në politikë. Ai vazhdon pushimet në Vjenë, por ai e rreshton, duke thënë Berisha, Meta, Nano.


A jeni ju sensibël për kushtet që ka vendosur opozita, kryesisht për hapjen e kutive, mund të bëhet një komision parlamentar. Pse është kaq e vështirë për hapjen e kutive?


Lidhur me numërimin, zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e para kur rezultatet janë të certifikuara nga të gjithë komisioneret pa asnjë vërejtje. Opozita kërkon numërimin e Beratin, por kutia u hap dhe nuk doli asnjë mandat.


Në dt. 8 korrik, Gjonçaj ka marrë videon e plotë të Beratit, por Rama as në KQZ, as në Gjykatë Kushtetuese nuk qe i zoti ta përdorte këtë video, këtë për provë. Unë kam bindjen absolute se në Fier na morën një mandat, por ka një vendim gjykate.


Por ligji i komisioneve hetimore nuk lejon çështjet që janë në gjykim ose të gjykuara. Ramës i jap një zgjidhje që të marrë filmin e zonave dhe t'ua shpërndajë medieve. Ai vë kushte që nuk mund të zbatohen. Ai e bën këtë për të penguar lëvizjen e lirë.


Fatmir Xhafaj ka liruar 200 të burgosur në 2005-ën, por ti nuk ke të drejtën t'i akuzosh ato. Ne kemi humbur Pogradecin në 2005-ën me këta të burgosur, por nuk e kemi thënë këtë. Ai të japë fakte se pse këto akuza janë të ulëta. Opozita është e mirëpritur në Parlament. Ai po ndjek rrugën më shkatërruese për forcën politike që drejton.


Unë mund të kem 100 vërejtje për hetimin e Xhindit, por prokurorinë nuk e zëvendësoj dot. E ftoj të ulemi dhe të diskutojmë në lidhje me çështjet. Mënyra sesi po sillet është shkatërrimtare, ai po përdor pushtetin vetëm për të shkatërruar. Për mua është më komode të kem një kryetar sesa ta ndërroj një herë në katër vjet.


Keni menduar për Presidentin? Do të jetë Topi?


Posti i Presidentit është stabil, kur të vijë koha do të diskutohet emri i tij.


Një biznesmen nga Kosova pyet, kur do të mund ne nga Kosova të blejmë toka në bregdetin shqiptar për të investuar?


Ligji do të dërgohet së shpejti në Parlament.


A keni pasur propozim nga Rama për bashkëpunim?


Përpjekje të shumta. Sugjerime të shumta. Tani që të më sugjeronte mua largimin tim, deri aty s'mund të arrinte. Por ka pasur propozime të ndryshme, qoftë për koalicion, qoftë për mbështetje të jashtme, që të mos bëhej koalicioni me LSI-në, nuk kanë qenë në kohën dhe në momentin e duhur.


Ju keni kritikuar zotin Nano. Por ju s'keni dhënë një gjë më të mirë, a shikoni tek përpjekjet e zotit Rama një lloj modeli tuajin? A mund të ketë sukses?


Dhe në momentet më të vështira të saj, Partia Demokratike nuk ka bërë kurrë kongrese të mbyllura. Ka qenë gjëja më e rëndë e saj, por që e shpëtoi media. Ajo ishte një gjë tmerrësisht e rëndë që s'ka ndodhur dhe s'do të ndodhë kurrë në PD. Për sa i përket traditës, më vjen keq që vjen tek ne, zoti Butka ka hyrë me marrëveshjen e tij, pa bërë asnjë marrëveshje me mua.


Ramës i them, të përsërisësh gabimet e kundërshtarit nuk është mençuri. Por këtë që po bën, po bën një gjë shumë të rëndë, sepse pavarësisht se kanë një krizë, pavarësisht se kanë kaluar një tronditje, të gjitha këto duhet të zgjidhen.


Një opozitë, në vend që të merret me qeverisje, është angazhuar me një betejë shumë të rëndë brenda vetes. Vendit në tërësi nuk i duhet një gjë e tillë. I takon kryetarit të reflektojë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›