E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri, vdes pa pritur një 17- vjeçar nga Peqini

Policia: Nuk ka shenja të jashtme, presim rezultatet e ekspertizës në Tiranë. Familjarët: Nuk dimë çfarë i ndodhi


ELBASAN- Mbërrin rëndë në spital, vdes papritur 17- vjeçari. Ngjarja është regjistruar pas mesnate kur një 17 vjeçar nga Peqini është ngritur nga gjumi dhe ka filluar të rënkojë.


Familjarët pasi kanë dëgjuar ankesat janë nisur menjëherë drejt spitalit kirurgjik me urgjencë por sapo kanë mbërritur i riu ka gjetur vdekjen. Ende nuk dihen shkaqet e dhimbjeve të adoleshentit pasi pas këqyrjes së kufomës nuk janë vënë re shenja të jashtme dhe simptoma që të çojnë në përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes. Trupi i 17- vjeçarit Erjon Karaj është dërguar më pas në morgun e spitalit.


Për hetimin e ngjarjes është përcaktuar një grup hetimor. Elementë të ekspertizës janë dërguar në Tiranë pranë laboratorit shkencor për të verifikuar shkaqet që kanë sjellë vdekjen e tij.


Por ndërkohë janë marrë në pyetje edhe familjarët mbi ushqimin dhe shqetësimet shëndetësore të 17- vjeçarit. Këta të fundit kanë deklaruar se Erjoni nuk ankohej nga ndonjë sëmundje dhe nuk kishte shfaqur të tjera shenja dhimbjeje veç natës kur i është dashur ta transportojnë drejt spitalit.


Ata vetë kanë mbetur të pikëlluar dhe të shokuar nga gjithçka që ndodhi me fëmijën. Megjithëse ata nuk kanë përcaktuar një mundësi që mund t'iu ketë shkaktuar deri vdekjen, grupi hetimor ka marrë në dorë hetimet ka sekuestruar kampione ushqimi në banesë.


Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se rezultatet përfundimtare të ekspertimit pritet të vijnë brenda 3 ditësh për të përcaktuar edhe shkaqet e vdekjes së mistershme të djalit 17 -vjeçar. B. N

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›