Arrestohet në Tiranë djali i Petrit Gazhelit
Gazmend Gazheli ka marrë një dënim prej katër muajsh për dhunë të ushtruar ndaj bashkëshortes në qytetin e Durrësit
TIRANË- Arrestohet djali i ish-biznesmenit të njohur Petrit Gazhelit, i cili ka qenë i dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Gazmend Gazheli, 37 vjeç, ishte shpallur në kërkim për veprën penale të kanosjes së bashkëshortes. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, Gazmend Gazheli ka marrë një dënim prej katër muajsh nga Gjykata e Durrësit, ku akuzohet për një ngjarje të ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar në Durrës.
Sipas të dhënave mësohet se 37- vjeçari me banim në Tiranë, në dhjetor të vitit 2008 ishte denoncuar nga gruaja e tij për ushtrim dhunë në Policinë e Durrësit. Edhe pse çifti Gazheli jetonte në kryeqytet, sherri midis tyre ka nisur në Tiranë dhe ka përfunduar në qytetin bregdetar tek disa të afërm të gruas së 37 -vjeçarit.
Sipas informacioneve që i referohen dosjes së tij penale, Gazmend Gazheli ishte denoncuar në polici për ushtrim dhune nga bashkëshortja e tij, emri i të cilës nuk është bërë i njohur, pas një sherri midis tyre, që mësohet se ka përfunduar me përdorimin e dhunës. Bashkëshortja e Gazhelit ishte strehuar tek disa të afërm të saj në Durrës, pas konflikteve të vazhdueshme mes çiftit që jetonte në Tiranë.
Pas denoncimit që është regjistruar në Policinë e Durrësit, është bërë dhe arrestimi i parë i Gazhelit pranë banesës së tij tek Bërryli në Tiranë. Ndaj Gazmend Gazhelit, Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar ekzekutimin e vendimit penal të muajit prill të këtij vitit të Gjykatës së qytetit bregdetar, e cila e ka dënuar me katër muaj heqje lirie për veprën penale të kanosjes.
Gazmend Gazheli ka përfunduar disa herë në prangat e policisë së kryeqytetit, i akuzuar për vepra penale të armëmbajtjes pa leje. Njëri nga biznesmenët më të njohur në Tiranë, Petrit Gazheli është bërë i njohur në fund të vitit 1998 kur ai është marrë peng. Më nëntë dhjetor biznesmeni i konfeksioneve po udhëtonte me makinë në rrugën nacionale Tiranë - Elbasan kur është ndaluar në mes të rrugës dhe është marrë nën kërcënimin e armëve.
Gazheli, në atë kohë 45 vjeç, nuk pësoi asgjë nga pengmarrësit, derisa u lirua pas një operacioni të policisë. Lidhur me këtë ngjarje të 11 viteve më parë, akoma nuk janë mësuar autorët dhe arsyet pse u mor peng ish- biznesmeni. Ky i fundit kishte marrë një dënim prej 18 vitesh burg në shtetin fqinj, në Greqi, por më në fund u soll në Shqipëri, ku përfitoi dhe ulje dënimi.