E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: “Nju Jork Tajms-i përdori përgjime mafiozësh në Shqipëri”



Habjon Hasani
Gjatë një interviste për italianen “Corriere Della Sera”, kreu i qeverisë “Berisha” ka rënë sërish në të njëjtën “grackë” duke thumbuar gazetën e famshme amerikane “Nju Jork Tajms”. Berisha e ka përkufizuar investigimin për tregtimin e armëve të kësaj gazete në një fjali të vetme, mbi atë që ai e quajti si publikimin e një bisede të rëndomtë mes mafiozësh. “Kjo gazetë kaq e madhe që përdor regjistrime të mafiozëve...”, - është shprehur kryeministri shqiptar. Ky është pohimi i dytë i kryeministrit lidhur me këtë gazetë, pas batutës së tij të ashpër në Parlament, ku e krahasoi këtë gazetë me “letër higjienike”. Megjithatë, ky pohim i dytë i Berishës vjen në një gazetë me influencë në të gjithë botën. Sakaq, Berisha është treguar kategorik në mohimin e implikimit të tij, por sidomos të familjes së tij në aferën e municioneve. “Nuk ka pasur asnjë përfshirje timen personale apo të familjes time”, - ka deklaruar në mënyrë të prerë kryeministri Berisha. I pyetur lidhur me “skadencën” e karrierës së tij politike, kryeministri nuk është munduar të fshehë ambiciet për të ardhmen, duke nënkuptuar se planet e tij mund t’i ndalte vetëm fati dhe vota e shqiptarëve. “Ka vetëm dy gjëra që mund ta çojnë në pension Berishën, Zoti i Plotfuqishëm dhe populli shqiptar. Megjithatë, më pëlqen të shoh drejt së ardhmes dhe jo nga e kaluara”, - ka deklaruar Berisha.
Armët
Kryeministri Berisha ka pohuar për gazetën italiane “Corriere Della Sera”, se pasi është njohur me faktin se amerikanët po investigonin aferën me shitjen e municioneve në Afganistan, ai është treguar i gatshëm t’ia falte municionet shqiptare afganëve. Në mënyrë krejt të papritur kryeministri shqiptar ka pohuar se porsa ka mësuar se armët shqiptare shkonin me dyfishin e çmimeve ai i ka telefonuar presidentit afgan dhe i ka përcjellë atij gatishmërinë e qeverisë shqiptare për t’ia dhënë falas Afganistanit të gjitha municionet që i duheshin. “Nju Jork Tajms" i referohet një furnizimi me municione të Pentagonit. Shqiptarët nuk hyjnë fare këtu. “Kemi qenë të parët ne që e bllokuam atë kontratë. Kur e pashë se po dyfishoheshin çmimet e shitjes së armëve për afganët, i telefonova presidentit afgan Hamid Karzai dhe i thashë: ‘Mund t’i merrni që të gjitha falas, të gjitha ato municione që ju duhen’. Këtë gjë e kam bërë edhe gjatë luftërave në Ballkan me vendet mike”, - ka deklaruar kryeministri, që përveç këtij fakti, ka konfirmuar se një gjë të tillë e ka realizuar “de facto” në kohën kur ishte President i Republikës, me vendet që ishin në luftë me Ish-Republikën Jugosllave.
Deklarata
Ky pohim i kryeministrit ngre pikëpyetje të reja lidhur me dijeninë e tij për trafikun e armëve. Kjo ndodh në kushtet kur kjo deklaratë e fundit e tij krahasohet me atë të dhënë një muaj më parë në emisionin “Hard Talk” në BBC. “Po. Kompania amerikane ka pasur end-user-in nga Pentagoni. Kompania amerikane ka paraqitur atë që quhet "power of Appointment", te një kompani qipriote. Po bëhet një hetim i plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithashtu edhe në Shqipëri. E vërteta për municionet e vjetra është se askush nuk mund ta fshehë moshën e tyre, pasi një gjë e tillë është e pamundur”, - ka deklaruar asokohe kryeministri duke nënkuptuar se për të nuk kishte rëndësi dyfishimi i çmimit në kushtet kur kompania që i kishte dyfishuar ishte pajtuar nga vetë Pentagoni. Rreth një muaj më vonë, në këtë intervistë në “Corriere Della Sera” del se kryeministri jo vetëm është shqetësuar, por edhe i ka telefonuar presidentit afgan Karzai për t’i bërë ofertën e tij bujare. Përveç kësaj përplasjeje deklaratash, është i qartë dhe fakti se në kohën kur bëhej afera me armët e blera nga Pentagoni, qeveria e kryesuar nga kryeministri Berisha miratoi në Parlament ligjin e ri për “Shitjen e armëve”, i cili i jepte të drejtën kompanive private të tregtonin armët shqiptare (që deri atëherë ishin monopol i “MEICO”-s. Në këto kushte është e qartë se firma qipriote që bëri “sekserin” mes Pentagonit dhe Shqipërisë (dhe dyfishoi çmimet) kishte terrenin e pastruar për të operuar në Shqipëri.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›