Vendimi i ri, testi për Letërsinë bëhet sipas shkollave
Jonida Tashi
Me mbarimin e vitit shkollor për të gjithë maturantët kanë nisur ethet e provimeve të Maturës. Ndërkohë që pika më shqetësuese për secilin prej tyre mbeten testet e provimeve e sidomos përmbajtja e tyre. Testi i Letërsisë do të hartohet i pari dhe puna për përpilimin e tij do të nisë në datën 3 qershor. Provimi i Letërsisë do të jetë provimi i parë i detyruar që do t’u nënshtrohen maturantët e të gjitha shkollave të mesme. Testet e provimeve të Maturës Shtetërore do të përpilohen sipas llojit të shkollës së mesme. Kjo do të thotë se testet nuk do të jenë të njëjtë për shkolla të ndryshme. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, bën të ditur se këtë vit do të hartohen shtatë lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Kjo pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë janë të ndryshme për tipa të ndryshëm shkollash. Ndërsa pikët maksimale për testet e provimeve të detyruara janë 50 pikë. Aktualisht AVA, strukturë në varësi të Ministrisë së Arsimit, është në fazën përfundimtare të përgatitjes për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore. Drejtori i AVA-s, Edmond Lulja, sqaron se ecuria e procedurave dhe afateve të Maturës Shtetërore janë përmbushur brenda kohës së përcaktuar në rregullore. Sipas tij, më 3 qershor, një numër i madh specialistësh do të “izolohen” për shtatë ditë në ambientet e AVA-s, për të përgatitur provimin e Letërsisë, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 33 mijë maturantë që përfundojnë sot vitin shkollor. Lulja sqaron se këtë vit fondi i pyetjeve është pothuaj trefish më i madh se vitin e kaluar.
Përgatitja
Drejtori i AVA-s njofton se kjo agjenci e hartimit të testeve është në fazën përfundimtare të përgatitjes për zhvillimin e provimeve për Maturën Shtetërore për vitin 2008. Gjithashtu, Edmond Lulja shprehet se tashmë është caktuar fondi i plotë i kërkesave, i sistemuar sipas përmbajtjes, sipas niveleve të vështirësisë për të cilat janë informuar mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Po ashtu, ka përfunduar edhe procesi i kontaktimit dhe i organizimit të punës në qendrat e vlerësimit në rrethe, pasi një nga të rejat e korrigjimit të provimeve të Maturës 2008, është se ato nuk do të korrigjohen vetëm në Tiranë, por dhe në Shkodër, Elbasan dhe Fier. Ndërsa lidhur me kohën se kur do të nisë në AVA, KOEPS (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit), ai pohon se është përcaktuar data 3 qershor, ditë kur si dhe në vitet e kaluara, do të “izolohen” në ambientet e AVA-s grupi i 17 specialistëve që do të merret me hartimin e testit të Letërsisë (që do të zhvillohet më 9 qershor). Më pas, në çdo mjedis ku do të zhvillohen provimet e Maturës, do të dërgohet një kuti e vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe me të gjitha elementet e nevojshme për zhvillimin e provimit. Lulja tha se sipas përcaktimit të MASH-it, lloji i testit me të cilin do të promovohet nxënësi varet nga lloji i programit lëndor që ai ka punuar në shkollën e mesme dhe në përputhje me këto kritere. Këtë vit për provimet e detyruara të Matematikës dhe Letërsisë janë 33 mijë kërkesa dhe 36 mijë kërkesa për provimet me zgjedhje.
Procedura e përgatitjes së testeve nga AVA
Për të gjitha lëndët e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore në sesionin e parë veprohet sipas kësaj procedure:
DZHK-ja në MASH dërgon zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore të hartuara nga komisionet e ngritura sipas nenit 8 të Rregullores së Maturës.
Pas marrjes së programeve orientuese, drejtori i AVA-s miraton ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Me propozimin e specialistëve lëndorë të AVA-s ai emëron anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Ata angazhohen në punë pas nënshkrimit të kontratave të posaçme, të cilat vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit.
Specialistët lëndorë të AVA-së trajnojnë çdo anëtar të grupeve lëndore të hartimit të testeve, pas emërimit të tyre.
Çdo grup lëndor harton fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa 10 (dhjetëfishi) i kërkesave që do të përmbajë testi.
Pilotimi i njohjes së karakteristikave të kërkesave, procedurave logjistike dhe administrative për realizimin e provimit kryhet nga fondi i kërkesave të hartuara nga çdo grup lëndor, nën drejtimin e specialistit lëndor.
Përzgjedhja e testit të lëndës bëhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit e Shkencës, që emërtohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit (KOEPS), brenda ambienteve të izoluara të AVA. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.
Kërkesat dhe kuotat në vitin 2007
Për 350 vende në degën Histori në Fakultetin Histori-Filologji kishte 19 615 kërkesa
Për 400 vende në degët Psikologji, Punë Sociale, Shkenca Politike kishte 27 918 kërkesa
Për 1250 vende në Fakultetin Ekonomik kishte 24 011 kërkesa
Për 510 vende në Fakultetin e Mjekësisë kishte 13 524 kërkesa
Për 100 vende në Arkitekturë kishte 1 161 kërkesa
Për 380 vende në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike kishte 7 881 kërkesa
Për 460 vende në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit kishte 8 245 kërkesa
Për 410 vende ne Fakultetin e Infermierisë kishte 10 228 kërkesa
Pranimet në vite
Në vitin 2004 janë pranuar 74 për qind e atyre që mbaruan shkollën e mesme
Në vitin 2005 janë pranuar 82 për qind e nxënësve që kanë kryer shkollën e mesme
Në vitin 2006 janë pranuar 91 për qind e nxënësve që kanë kryer shkollën e mesme
Në vitin 2007 janë pranuar 22 995 studentë, ose mbi 97 për qind e nxënësve që kane kryer shkollën e mesme
Institucionet shtetërore dhe strukturat arsimore, përgjegjëse për Maturën Shtetërore
Matura Shtetërore është një standard i njësuar dhe i përgjithshëm provimesh të detyruara dhe me zgjedhje që vërtetojnë mbarimin e shkollës së mesme dhe japin të drejtën për të hyrë në shkollat e larta, në përputhje me procedurat përkatëse të pranimit.
“Shkollë e mesme” quhet shkolla publike dhe private, 4 (katër) ose 5 (pesë)-vjeçare
“Maturant” është individi që vazhdon vitin e fundit të shkollës së mesme ose e ka përfunduar atë, por nuk ka marrë Dëftesën e Pjekurisë
“Kandidat” është nxënësi që ka marrë Dëftesën e Pjekurisë dhe jep provimin me zgjedhje
“AVA” është Agjencia qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve
“DAR” është Drejtoria Arsimore Rajonale; ”ZA” është Zyra Arsimore
“KMSH” i DAR/ZA është Komisioni i Maturës Shtetërore pranë DAR-it ose ZA-së
“KSHMSH” është Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore
“PAP” është Përgjegjësi i Administrimit të Provimit
“AP” është Administratori i Provimit
“AS” është Administratori i Sekretimit
“PTP” është Përgjegjësi i Testit Përfundimtar
“KOPOTED” është Komisioni për shqyrtimin e testeve që dyshohen për kopjim
30 Maj 2008