Berisha: “Shqipëria s’mund të importojë plehra”
I pyetur nga “Corriere Della Sera” lidhur me mos aplikimin e disa projekteve mes Italisë dhe Shqipërisë për importin e plehrave, kryeministri Berisha është shprehur i sigurt se kjo gjë s’mund të ndodhë. “Kjo është një çështje shumë delikate. Gjërat kanë ndryshuar. Sot ligji shqiptar të ndalon të importosh plehra nga jashtë. Unë mendoj se këtë veto e kanë vënë edhe disa interesa të caktuara, në mënyrë që biznesin e plehrave ta bëjnë vendet e tjera. Po vështirësia ligjore është e papërjashtueshme”, - deklaroi Berisha. Sakaq, kryeministria ka këmbëngulur se Shqipëria po i bën luftë me tolerancë zero krimit të organizuar. “Krimi i organizuar është gjithandej problem. Ne i përgjigjemi me zero tolerancë. Nëse shihen të dhënat për nivelin e krimit në Shqipëri, janë nga më të ulëtat në Europë, madje më të ulëta edhe se këtu te ju në Itali. Nëse Itali përdor grushtin e hekurt ndaj kriminelëve shqiptarë, në njëfarë mënyre përfiton dhe Shqipëria. Por zgjidhja e vetme për emigrantët legalë është dhënia e një statusi prej minoriteti. Nëse kjo minorancë e kalon 10 përqindëshin, përse të mos ia japësh këtë status? Megjithatë mendoj se Europa është ende e papërgatitur për këtë çështje”, - tha Berisha.
30 Maj 2008