“Kriteri i transparencës përjashtoi shumë kompani, “nuk ndikohem nga reagimet e bixhozxhinjve”

Licenca për lotarinë kombëtare - reagon kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi një proces tërësisht transparent atë të dhënies se licencës për Lotarinë Kombëtare.
Ndërsa mirëpriti deklaratat e opozitës se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen dhe shtoi se mazhoranca është gati ta votojë bashkë me ta ngritjen e këtij komisioni, Berisha rikujtoi se nuk impresionohet nga reagimet e bixhozxhinjve.
“Procesi ka qenë transparent, kryekëput, i botuar në gjithë mediat ndërkombëtare me kritere të përcaktuara dhe jo të shpikura. Natyrisht ato ishin kritere nga më rigorozet, të përcaktuara nga qendrat botërore e lotarive dhe ajo europiae. Kriteri i artë, i listës së kritereve është një, licenca e transparencës. Që përbën një dokument simbolik, të cilën këto qendra ia lëshojnë vetëm kompanive që plotësojnë disa kritere që ju ftoj t’i lexoni vetë. Natyrisht Shqipëria nuk mund ta shmangte këtë kriter. Ministria e Financave ka vendosur këtë kriter, por ky kriter përjashtonte një seri kompani, ndërsa dhjetëra syresh e plotësonin kriterin. Reagimet e bixhozxhinjve, nuk kam impresion prej tyre”, u shpreh Berisha, pas takimit me homologun kosovar, Hashim Thaçi.
Më tej, Berisha theksoi se ka mirëpritur deklaratat e opozitës se ku ata theksojnë se do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen. Berisha tha se është gati që edhe mazhoranca ta votojë bashkë me ta. “Pra, por unë do e mbyll duke mirëpritur me kënaqësinë më të madhe deklaratat e opozitës. Madje i ftoj dhe do votojmë me ata po të duan të vijnë dhe ta kontrollojnë procesin. Mirëpres transparencën e opozitës, natyrisht me bixhozxhinjtë nuk kam punë”, tha ai.
Edhe pse moralisht nuk e pranon, kryeministri theksoi se lojërat e kësaj fushe, janë industria e katërt dhe se nuk ndikohet në praktikë nga ky mendim.
“Unë këtë e konsideroj industrinë e katërt. Të ishte për mua do ishte e ndaluar, por ata të bërtasin sa të duan. Edi Rama bëri gabim trashanik kur deklaroi se kompanisë iu lanë 90 për qind dhe shteti mbajti 10për qind. Në gjithë veset që ai ka, unë nuk di të jetë bixhozxhi. Ai ka bashkëpunëtorët kështu. 10 për qind ishte fija koncesionare. Se në këtë vend janë firmosur koncesione të mëdha duhet ta dijë se në këtë biznes, 50 për qind, janë ata të cilët kanë licencën e transparencës janë të detyruar t’ua japin publikut. Atyre që fitojnë”, tha më tej ai.