Rama: “Në tryezë jo për pazar, nuk anashkaloj kutitë”
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi dje se i shpreh konsideratën më të lartë Presidentit të Republikës që u përfshi në zgjidhjen e kësaj krize. “Pa asnjë dyshim kriza e ka lidhjen me pengesën e qeverisë për transparencë. Me zotin Berisha ballafaquam pikëpamjet e kundërta për thelbin e problemit që jam gati ta zgjidhim por jo ta anashkalojmë. I thashë se nuk lëvizim nga kushti për transparencën e plotë të zgjedhjeve. Kjo do të thotë se ashtu sikundër ju bë e qartë bashkëbiseduesit, lënia e kutive jashtë objektit të hetimit do të ishte shkelja e patolerueshme e parimit që na udhëheq në luftën tonë”, theksoi Rama. Kjo, vijoi ai, është çështje e vullnetit politik dhe e sqarova zotin Berisha se nuk duam përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve. “Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me shqiptarët që i kishin sytë tek tryeza. Nuk shkova në tryezë për pazar por për parim. Nuk shkova ta mund kundërshtarin por që të zgjidhim bashkë një detyrim ndaj qytetarëve, po për ta ftuar që së bashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve duke e ndarë përgjithmonë Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara. Nuk shkova në atë tryezë për të kryer një formalitet të quajtur dialog, po për të nxjerrë vendin nga kriza përmes dialogut. Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të gjitha energjitë e pasionin tim për tia dalë, por siç ia thashë hapur e shumë sinqerisht zotit Berisha nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi. Jo sepse unë skam durim, përkundrazi, por sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010