Gjykata liron tregtarët, u kapën me 20 mijë këpucë kontrabandë
TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për tre të akuzuarit e operacionit “Morina”, të akuzuar për futjen kontrabandë të një sasie prej 20 mijë palë këpucësh. Sipas përfaqësuesit të prokurorisë, i cili kishte drejtuar hetimet paraprake, para katër ditësh u vunë në pranga tregtari Lulash Myslia, me origjinë nga Puka, nipi i tij Durim Myslia dhe shoferi i kamionit Zymbyl Trota, i cili po transportonte mallin. Prokurori pohoi në gjykatë se malli, dyshohet se vinte nga Bullgaria për të hyrë kontrabandë në drejtim të Shqipërisë përmes pikës së kalimit kufitar Qaf-Morinë, me destinacionin përfundimtar rruga “5 Maji” tregu i Medresesë në Tiranë. Sekuestrimi i mallit u bë pasi u verifikua dokumentacioni dhe rezultoi se nuk kishte asnjë dokument të origjinës dhe të zhdoganimit të tij. Por ndryshe nga kjo, avokatët mbrojtës të të pandehurve dhe vetë të akuzuarit pohuan se operacioni në ngarkim të tyre ishte kryer për shkak të informacioneve që kishin dhënë në polici tregtarët e tjerë të tregut të Medresesë. Sipas tyre, konkurrentët në biznes kishin dhënë informacione të rreme të polici të shtyrë nga xhelozia në biznes. Tregtari Myslia pohoi se vetëm një ditë para arrestimit kishte mundur të hapte një numër NIPT në Drejtorinë e Tatimeve dhe për pasojë blerjen që kishte bërë para kësaj dite nuk mund ta regjistronte në institucionet shtetërore. Për më tepër sipas tij, nuk ishte shkelur asnjë ligj i shtetit shqiptar. Pas kësaj, mbrojtësit dhe të pandehurit kërkuan heqjen e masave të sigurisë dhe lirimin e tyre në sallën e gjyqit por gjyqtarja e gatshme vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. fa.ma.