E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk do e rrisim borxhin, por as nuk do e ulim. Do ul ndjeshëm popullsinë në fshat

Kryeministri Sali Berisha iu referuar në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë shumë gjatë marrëdhënieve me FMN-në. Ai tha se marrëdhëniet me FMN-në janë të shkëlqyera. Por ai deklaroi se pagat e pensionet do rriten e taksat nuk do të lëvizin.

Ne po vazhdojmë rritjen me përparësi të rrogave e pensioneve të ulëta. Ky është një lajm shumë i veçantë sepse vjen në një moment të krizës financiare. Modeli ekonomik i Shqipërisë përballoi me sukses pasojat e krizës, modeli i saj ekonomik i përcaktuar nga reformat e qeverisë shmangu recesionin. Nuk ka dyshim se pasojat e krizës së madhe evropiane janë ndjerë në ekonominë shqiptare, por nuk janë përkthyer në recesion, kjo sepse kjo ekonomi është e vendosur mbi parimet shumë të shëndetshme.  Ekonomia po rritet sepse ne kemi krijuar lehtësirat më të mëdha fiskale, lehtësirat më të mëdha burokratike. Faktikisht investimet e huaja kanë njohur rritje shumë të madhe, ndoshta rreth tetë herë në krahasim me periudhën para vitit 2005. Rritje të madhe ka pësuar turizmi, mbi 10 herë, vendi sot ka një infrastrukturë tjetër, tha Berisha.

Duke folur në lidhje me borxhin, Berisha tha se i kanë deklaruar FMN-së se nuk do e rrisin, por nuk kanë thënë gjë se do të ulin borxhin.

Kjo është një ekonomi e bazuar në një dinamizëm të madh të prodhimit të brendshëm. Të gjitha komentet që bëhen se gjoja qeveria nuk po dëgjon këshillat e qeverisë janë shpifje. FMN e ka bërë të qartë suksesin e Shqipërisë, suksesin e reformave ekonomike në Shqipëri. Dua të informoj qytetarët se në kuadrin makroekonomik si borxhi, inflacioni dhe deficiti buxhetor, luajaliteti dhe vendosmëria e qeverisë është absolute, për tu përmbajtur me rigorozitet treguesve të shpallur. Ne nuk rrisim borxhin, ndaj do bëjmë një rishqyrtim të buxhetit. Borxhi nuk do rritet në asnjë lloj mënyrë. Kemi marrëveshje me FMN-në dhe ajo është për mosrritje të borxhit. I ftoj mediat të mos bien viktimë e keqinformimit të disa grupeve të caktuara se ne nuk kemi një marrëveshje për mosarritjen e rrogave, ne nuk kemi marrëveshje për mosarritjen e taksave me FMN-në. Marrëdhëniet me FMN janë shumë të mira e do vazhdojnë të jenë shumë të mira. FMN është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë dhe gjen tek kjo qeveri qëndrimet më serioze sa i përket treguesve makroekonomikë. Ne nuk kemi deklaruar se do ulim borxhin, por se nuk do e rrisim borxhin. Por rrogat do rriten, rrugët do ndërtohen. Ne kemi një projekt: Shqipëria vend i zhvilluar. Ne jemi i vetmi vend ku po ulet papunësia dhe kjo është e vërtetë, tha Berisha.

Kryeministri bëri një premtim tjetër, atë për uljen e popullsisë në fshat deri në 3 përqind. Berisha tha se aktualisht 50 përqind e popullsisë jeton në fshat.

Popullata në fshat do të zbresë nga 3 deri në 20 përqind, tha Berisha.

Në fund ai u tha ministrave që të bëhen gati për shkurtime. Shkurtimet do të bëhen. Unë e kuptoj që është i dhimbshëm, por më i dhimbshëm është që të mos rrisim pagat e pensionet, tha Berisha.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›