Higjiena: Tirana me ujë të pijshëm
Kryeqytetasit mund të konsumojmë si ujë të pijshëm atë që vjen në çezmat e shtëpisë së tyre nga Ujësjellësi, qoftë ky i Selitës apo i Bovillës, që vazhdimisht është konsideruar si ujë i ndotur nga qytetarët dhe për këtë arsye nuk është përdorur për t’u pirë. Garancia jepet nga autoritetet e Shëndetit Publik, të cilat deklarojnë se momentalisht cilësia e ujit të pijshëm në Tiranë është jashtëzakonisht e mirë, dhe kjo është verifikuar nga analizat e herëpashershme. Monitorimet e dy javëve të fundit të Drejtorisë së Shëndetit Publik Tiranë (DSHPT) flasin për ujë të pijshëm brenda standardeve higjieno-sanitare. Specialistët sqarojnë se në të 31 pikat e inspektimit analizat bakteriologjike të testuara së paku tri herë për çdo rast të dyshuar, rezultojnë në parametra optimale. Ndërsa uji që analizohet nga mostrat e sjella pranë këtij institucioni nga vetë familjarët shpeshherë ka rezultuar i ndotur. Për këtë, specialistët saktësojnë se ky ujë është marrë nga depozitat e tyre familjare dhe jo nga rrjeti. “Në rast se një pikë del tri herë e ngarkuar mikrobiologjikisht ose dhe me amoniak në analizat fiziko-kimike, në atë moment do të themi që kemi të bëjmë me ndotje. Momentalisht kemi një status-quo jashtëzakonisht të mirë të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës”, - deklaron Areti Beruka, specialiste pranë Sektorit të Higjienës në DSHPT. Ndërkaq, për më shumë siguri, në këtë sezon është dyfishuar sasia e klorit në ujë dhe specialistët garantojnë se ajo nuk i kalon normat e lejuara. “Sasia e ujit do të pakësohet. Orari është tri herë në ditë. Automatikisht rritet niveli i klorit për të bërë këtë profilaksi që është e domosdoshme, dhe shifrat e saj, edhe të zmadhimit, nuk kalojnë tej normave të lejuara, që do të thotë se në rast se në sezonin e dimrit sasia e klorit në ujin e pijshëm është 0.2-0.5 miligramë për litër, në verë e lejojmë deri në 0.8 miligramë për litër”, - thekson Beruka. Nga ana tjetër, specialistët shpjegojnë se klori dhe dyfishimi sasisë së tij gjatë verës duhet të hidhet po në të njëjtat parametra edhe në depozitat private. Sakaq, ata këshillojnë që më të vëmendshëm duhet të tregohen qytetarët që i kanë ato mbi tarracat e apartamenteve. Specialistët rekomandojnë që depozitat të pastrohen një herë në muaj. “Ato duhet të pastrohen çdo muaj. Vetë qytetarët ose administratorët e pallateve duhet të bëjnë kujdes me depozitat. Ato nuk duhet të kenë kënde, domethënë s’duhet të jenë katrore, por të jenë të rrumbullakëta. Cepat favorizojnë mbetjen e mikrobeve dhe shumëzimin e tyre”, - shpjegojnë specialistët e Shëndetit Publik. Sipas studimeve, Shqipëria është e pasur me ujëra, madje ajo renditet ndër vendet e para të Europës për sa i përket sasisë së ujit për frymë të popullsisë, e cila arrin mbi 13 000 m3 frymë/vit.